Live

Drejtësia dhe siguria në vitin 2022

21:26 / 02 Janar 2023

Nga Kosova Live

“Haxhiu – Vettingu 18.02.2022

Largimi i Lumezit – prill konferenca e fundit

Gjykata Speciale – dënimi i Salih Mustafës

Gjykata Speciale – dënimi i Nasimit dhe Hysnisë

Dënimi me burgim të përjetshëm për Naser Pajazitaj

Vrasja e Hamide Magashit”.

Këto ishin disa nga ngjarjet kryesore të vitit 2022 në fushën e drejtësisë dhe atë të sigurisë. Por t’i shikojmë më detajisht disa prej tyre.

Vrasja e policit Triumf Riza dhe vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë dy raste që kanë vazhduar të trajtohen në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Këto dy raste, janë shembuj të shumë rasteve të tjera të cilat kanë shumë vite që po kërkojnë drejtësi.

Trupi gjykues në rastin e Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, ka vazhduar të ketë probleme në dëgjimin e dëshmitarëve, derisa procesi është në vitin e 15 që kur ka nisur të gjykohet.

Disa prej tyre po refuzojnë të dëshmojnë, përderisa rasti është përcjell edhe me pengesa të tjera.

Me problematikën e dëgjimit të dëshmitarëve, është përballur edhe trupi gjykues në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

E pas shtatë vitesh, drejtësia më në fund ka vendosur për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitaj. Pasi Gjykata Themelore e Ferizajt e dënoi Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm, Gjykata e Apelit e uli këtë dënimin në 35 vjet burgim.

Këtë vit filloi edhe gjykimi për vrasjen makabre të 18 vjecares Marigona Osmani. Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu janë dy të akuzuarit.

Në shkallë të parë, këtë vit janë dënuar me 21 vjet burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, për vjedhjen e rreth 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Atyre, si dhe të përfshirëve të tjerë, u janë konfiskuar gjithashtu një pjesë e pasurisë.

Në sistemin e drejtësisë, këtë vit ka nisur edhe një proces i rëndësishëm, ai i zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Skadimi i mandatit të Aleksandër Lumezit, prej prillit e ka lënë institucionin kryesor të prokurorisë pa udhëheqës dhe vetëm me ushtrues detyre.

Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial si kandidat për dekretim tek Presidentja, por Vjosa Osmani akoma nuk ka vendosur për një gjë të tillë.

I gjithë procesi është përcjell me shumë kritika.

Në sistemin e drejtësisë, këtë vit ka vazhduar puna për reformën më të rëndësishme, atë të vettingut.

Në qershor, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu njoftoi se Venecia, përkundër disa sugjerimeve, i ka dhënë dritë të gjelbër këtij procesi, përderisa edhe Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, sipas saj mund të nis punën në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm.

E në Gjykatën Speciale, në vitin 2022 është shpallur aktgjykimi i parë për krime lufte.

Salih Mustafa është dënuar nga shkalla e parë me 26 vjet burgim, dënim të cilin mbrojtja e tij ka treguar se do ta apelojnë.

Në Dhomat e Specializuara, në shkallë të parë ka përfunduar edhe gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Të dy janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim, për publikimin e dokumenteve konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Mirëpo, gjykimi kryesor në Speciale akoma nuk ka nisur.

Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, pritet të nisin gjykimin në fillim të vitit 2023, përderisa deri tash janë mbajtur dhjetëra konferenca përgatitore.

Vrasjet

Hamide Magashi, një grua shtatzënë të cilës i kishin mbetur edhe pak ditë për të lindur, vritet në oborrin e QKUK-së, nga bashkëshorti i saj. Kjo ishte vrasja që tronditi Kosovën në vitin 2022”

Rasti, që ndodhi në fund të nëntorit, vuri në pah edhe njëherë dështimin e organeve të rendit në mbrojtjen e grave, kur ato janë viktima të dhunës në familje.

Hamide Magashi u vra, përkundër që kishte një urdhër mbrojtje të lëshuar nga Gjykata. Magashi në disa raste e kishte lajmëruar Policinë se burri i saj, Sokol Haliti, po ushtronte dhunë ndaj saj.

Dy ditë pas vrasjes, Sokol Haliti vrau edhe veten në shtëpinë e tij, pas disa negociatave për dorëzim me Policinë.

Ky nuk ishte rasti i vetëm i vrasjes së grave në Kosovë.

Lirie Qerimaj dhe Sadije Godeni janë gjithashtu viktima nga vrasjet që i shkaktuan bashkëshortët e tyre.

Në gusht të këtij viti, u raportua për mbase ngjarjen më të rëndë të vitit.

Një 11 vjecare dyshohet se u dhunua nga pesë persona, mes tyre dy të moshës së rritur, kurse tre të mitur.

Më vonë doli në publik edhe një rast tjetër i vajzës së njëjtë, e cila dyshohet se kishte qenë viktimë e dhunimit edhe në qershor.

Rastet e tilla të dhunës ndaj grave dhe rritja e numrit të tyre ka qenë shqetësuese për vitin që mbeti pas e që pritet të jetë edhe sfida e 2023-s, në mesin e shumë të tjerave që janë në një nga sektorët më problematik në Kosovë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...