Live

Shpërthim në një banesë në Tiranë, dyshohet se lënda plasëse u hodh me dron

23:52 / 23 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Një shpërthim i mistershëm ka ndodhur pak para mesnate në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë në katin e nëntë të një apartamenti.

Si pasojë e lëndës plasëse të vendosur në ballkonin e apartamentit, u dëmtua xhami dhe vetrata e ballkonit dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar nga shpërthimi.

Sipas burimeve, lënda plasëse dyshohet të jetë hedhur me dron në banesën që rezulton në emër të shtetasit Albert Thoma, i cili ia ka lëshuar me qira shtetases Elena Arza.

Grupi i hetimit nuk e ka marrë ende atë në pyetje, pasi në banesë nuk kishte njeri. Përveç pistës që lënda plasëse mund të jetë hedhur me dron, grupi i hetimit nuk përjashton as mundësin e një inskenimi.

Policia nuk ka ende të qartë se kush mund të ketë qenë objektivi, pronari i banesës apo vajza që ia kishte lënë me qira.

Megjithatë, sipas burimeve, nuk përjashtohet as mundësia që tritoli të ketë qenë lënë në ballkon nga personat që kishin në përdorim shtëpinë dhe shpërthimi të ketë ndodhur aksidentalisht.

Ky dyshim vjen për shkak se hetuesit kanë mësuar se banesa e marrë me qira nga Elena Arza frekuentohej nga Bernard Sinomati nga Vlora, një emër i njohur për policinë, ndaj të cilit kanë dështuar disa atentate.

Bernardi është vëllai i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së “Gaxhait” dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, të ekzekutuar në banesën e tij me snajper në Vlorë në janar të vitit 2024.

Në momentin kur u qëllua, viktima ndodhej në ballkon duke pirë cigare, teksa brenda apartamentit dyshohej se ndodhej Bernard Sinomati.

Viktima sapo ishte kthyer nga Blegjika, teksa nuk njihej për precedent penal dhe dyshohet se në atë atentat qitësin mund të kenë ngatërruar edhe shënjestër, pasi mund të kenë dashur të vrasin pikërisht Bernard Sinomatin.

Gjithashtu, në janar të vitit 2022, Bernard Sinomatit i vendosën edhe tritol në automjetin e tij të parkuar në qytetin e Vlorës.

Ai është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar për armëmbajtje pa leje, si dhe është i dënuar në Belgjikë.

Shpërthimi i djeshëm me tritol në Tiranë, vjen vetëm pak ditë, pas atentatit të regjistruar më 18 dhjetor në qytetin e Vlorës ndaj 30 vjeçarit Kevin Hajrulla, i cili u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke mbetur i plagosur rëndë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...