Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ-ja pas mesnatës, numri i aplikimeve që janë paraqitur është më i ulët në krahasim me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021 për 21 mijë e 64 votues.
Në një njoftim të zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, thuhet se deri në momentin e përfundimit të periudhës (26 dhjetor, ora 23:59) numri i aplikimeve të konfirmuara ishte 90,860, ndërkaq në shqyrtim ishin edhe 18,244.
“Ju njoftoj se periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar. Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është: 90,860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244”, ka thënë Elezi.
Sipas përllogaritjeve, kjo do të thotë se numri i përgjithshëm është 109,104 aplikime. Kjo shifër është më e ulër në krahasim me Zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Sipas të dhënave të KQZ-së të asaj kohe, numri i aplikimeve për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës në vitin 2021 ishte 130,168, pra 21,064 më shumë se në vitin 2024. Pas shqyrtimit të 130,168 aplikimev, KQZ kishte aprovuar 102,100 prej tyre. Nga ky numër i përgjithshëm i votuesve të regjistruar, vetëm 56,610 kishin dërguar fletëvotimin në Kosovë, duke regjistruar pjesëmarrjen në votim vetëm 55% e votuesve të regjistruar.