Qeveria në detyrë ka vendosur sot për heqjen e tarifës doganore ekzistuese prej 10% për mallrat amerikane. Ky vendim erdhi disa muaj, pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ia bëri ekzekutivit një kërkesë të tillë.
Kurti sot tha se Kosova i mirëpret produktet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tregun e saj dhe se sipas tij, kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar e madje edhe shtimin e investimeve.
“Tjetër vendim i rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore për SHBA-në. Kështu nga tani e tutje të gjitha produktet nga SHBA do kenë zero për qind tarifë kur të hyjnë në Kosovë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti.
Jo fort moti, presidentja Osmani, i kishte kërkuar qeverisë ta pezullojë tarifën, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.
Ajo deklaroi në muajin prill se ky do të ishte hap i rëndësishëm për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve me ShBA-në.
Për ministrin në detyrë të Financave, ky vendim është një dëshmi tjetër për partneritetin e palëkundur me Amerikën.
Por, Murati nuk kishte vepruar kështu para disa muajve, kur presidentja i kërkoi në mënyrë zyrtare heqjen e tarifës.
Ai madje e kishte kritikuar Osmanin për këtë kërkesë publike.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”.
Kujtojmë se produktet që i eksporton Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshinë ushqime, tekstil, lëngje, dyshekë, por edhe prodhime të tjera.