Kryeministri Edi Rama, ka folur rreth situatës me zjarret me të cilat po ballafaqohet Shqipëria, këtyre ditëve.
Rama theksoi gatishmërinë e strukturave dhe përkushtimin e njerëzve në terren.
Derisa, shprehu edhe shqetësimin për rrezikun e vazhdueshëm dhe për sjelljen sipërfaqësore të disa zërave publikë.
Ai tha se ndonëse situata është e përmirësuar falë “mundimeve dhe sakrificave”, rreziqet dhe të papriturat mbeten të pranishme në çdo moment.
Shefi i qeverisë shqiptare, i falënderoi të gjithë ata që janë në shërbim të përballimit të flakëve, por nuk i kurseu tonet e ashpra ndaj atyre që, sipas tij, “krehin veten para pasqyrave mediatike”.
“Dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast, me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, deklaroi Rama trasmeton Klankosova.tv.