Pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë janë përballur këtë të shtunë me një fluks të lartë hyrjesh nga Kosova dhe vende të tjera fqinje.
Numri i madh i qytetarëve dhe automjeteve ka shkaktuar radhë të gjata dhe vonesa.
Vetëm në pikën kufitare të Morinës, nga oret e mëngjesit deri në mesditë, kanë hyrë mbi 61 mijë qytetarë nga Kosova me rreth 19 mijë automjete.
Kjo ka shkaktuar radhë të gjata të mjeteve që shtriheshin deri në thellësi të territorit të Kosovës, raporton RTSH, transmeton Periskopi.
Fluks i lartë është regjistruar edhe në jug të vendit.
Në Kakavijë, autoritetet kufitare shqiptare kanë përpunuar mbi 11 mijë shtetas, prej të cilëve mbi 7 mijë vetëm në hyrje, si dhe rreth 3 mijë automjete. Për të përballuar fluksin, pala shqiptare ka punuar me 6 sportele, ndërsa pala greke me 4 sportele.
Ngarkesë e madhe u shënua edhe në pikat kufitare të Shkodrës. Në Muriqan dhe Han të Hotit janë përpunuar mbi 32 mijë shtetas, prej të cilëve 14 mijë në hyrje të Shqipërisë, me një total prej 11 mijë automjetesh.
Në Kapshticë janë regjistruar rreth 10 mijë hyrje-dalje, nga të cilat 6 mijë vetëm në hyrje, ndërsa në Qafë Thanë kanë kaluar rreth 11 mijë shtetas, prej tyre 6 mijë në drejtim të Shqipërisë.
Autoritetet kufitare kanë njoftuar se po punojnë me kapacitet të plotë për të menaxhuar fluksin, ndërkohë që pritet që dyndja e qytetarëve nga Kosova dhe emigrantët shqiptarë të vijojë edhe në ditët në vijim për shkak të sezonit turistik.