Zëvendës-ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, David A. Baker, po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare.
Gjatë ditës së sotme, Baker takoi presidenten Osmani, ndërsa më pas edhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Pritja nga ky i fundit, zyrtarit amerikan, bashkë me delegacion, iu bë me nderimet më të larta shtetërore.
Gjatë takimit, siç tha Ministria e Mbrojtjes, u diskutua për sfidat e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë, “si dhe për përparimin e arritur që nga takimi i fundit, veçanërisht në fushën e bashkëprodhimit me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë”.
“Ky sektor paraqet potencial të lartë për rritje dhe forcim të kapaciteteve kombëtare”, citohet të ketë thënë Maqedonci në takim.
Mes tjerash, thuhet se Maqedonci i ka thënë Bakerit se me Shtetet e Bashkuara si partner të besueshëm, “Kosova gëzon siguri të shtuar dhe kontribuon në promovimin e paqes e stabilitetit, si në nivel rajonal ashtu edhe global”.
“Maqedonci dhe Baker riafirmuan partneritetin mes dy vendeve, duke theksuar angazhimin për ta forcuar edhe më tej bashkëpunimin”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.