Live

Blinken merr pjesë në takimin e tij të fundit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel

20:15 / 03 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të martën se NATO-ja duhet të marrë të gjitha masat që të jetë e përgatitur për vitin e ardhshëm mes agresionit të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënimeve të tjera.

Blinken foli së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të jashtëm të aleancës, që pritet të jetë i fundit ku ai merr pjesë si shef i diplomacisë amerikane, përpara se administrata e Presidentit Joe Biden të largohet nga detyra muajin e ardhshëm.

“Është një moment jetik, mendoj, që aleanca të sigurohet që të jemi të përgatitur për vitin në vijim,” u tha Blinken gazetarëve, duke shtuar se ai ndante shqetësimet e zotit Rutte për gjendjen në Ukrainë, si dhe sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës strategjike të Ukrainës.

Në krye të axhendës së takimit është konsolidimi i mbështetjes së aleatëve për Ukrainën, përpara kthimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, sipas Departamentit të Shtetit.

Presidenti Joe Biden ka shtuar dërgimin e armëve dhe materialeve të tjera në Ukrainë gjatë muajve të fundit dhe ka lehtësuar kufizimet se si mund t’i përdorë Kievi ato para largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë.

Synimi i tij është që ta vendosë Ukrainën në pozicionin më të favorshëm të mundshëm për të negociuar një zgjidhje. Takimi i NATO-s vjen në kushtet kur Moska ka bërë përparime të ndjeshme në konflikt dhe trupat e Koresë së Veriut janë angazhuar për të ndihmuar forcat ruse, raporton VOA.

Trump ka qenë skeptik për ndihmën e SHBA-së për Kievin dhe ka sugjeruar se administrata e tij do ta ulë ndjeshëm ose do t’i japë fund asaj.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...