Pamje të jashtëzakonshme të marra nga kamera automatike në pyjet e shiut të Brazilit zbulojnë një komunitet të izoluar që duket se po lulëzon pavarësisht presioneve nga fermerët dhe ndërhyrjeve të paligjshme në Amazonë, shkruan The Guardian.
Fotografitë, që tregojnë një grup burrash, ofrojnë për botën e jashtme pamjen e parë të këtij komuniteti – dhe japin prova të mëtejshme se popullsia është në rritje. Grupi njihet si Massaco, sipas lumit që kalon përmes tokave të tyre, por askush nuk e di se si e quajnë ata veten, ndërsa gjuha, struktura shoqërore dhe besimet e tyre mbeten mister.
Pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga bizneset bujqësore, prerësit e paligjshëm të pyjeve, minatorët dhe trafikantët e drogës, Massaco duket se janë të paktën dyfishuar që nga fillimi i viteve 1990 – në një numër të vlerësuar prej 200 deri në 250 persona – sipas Fondacionit Kombëtar të Popujve Indigjenë të Brazilit (Funai), që ka punuar për dekada për të mbrojtur territorin.
Funai vendosi kamerat në një vend ku herë pas here lë mjete metalike si dhurata, një praktikë që përdoret për të dekurajuar njerëzit e pa kontaktuar që të shkojnë në fermat apo kampet e prerjes së pyjeve për të marrë vegla – siç ka ndodhur në të kaluarën me pasoja tragjike. Fotografi të vendbanimeve të Massaco janë kapur më parë gjatë ekspeditave të Funai në zona që imazhet satelitore konfirmuan se ishin braktisur.
Vite të vëzhgimeve të tilla indirekte tregojnë se Massaco gjuajnë me harqe tre metra të gjata dhe lëvizin fshatrat e tyre nga një stinë në tjetrën brenda pyllit. Ata i dekurajojnë të huajt duke mbjellë mijëra kunja që shpojnë këmbët dhe gomat e automjeteve.