Live

Deputetët e opozitës në Shqipëri përleshen për oligarkun Bashkim Ulaj

20:57 / 19 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Deputetët e opozitës në Shqipëri janë përleshur për rrugën me pagesë Thumanë-Kashar.

Për ndërtimin e kësaj rruge, Bashkim Ulaj nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë nga xhepi por gjithçka është ndërtuar me paratë e taksave të shqiptarëve. Ndërsa tani, me hapjen e këtij aksi ditën e dielë, Ulaj ka vendosur traun e pagesës ku për çdo mjet do të marrë një pagesë që varion nga 2.1 euro për automjetet vetjake, në 6.3 euro për mjetet e tonazhit të rëndë me më pak se katër akse dhe deri në 9 euro euro për mjetet e tonazhit të rëndë me më shumë se katër akse.

Ngulmimi i Agron Shehajt për një interpelancë me ministren e infrastrukturës, Belinda Balluku në lidhje me koncensionin që ajo ka firmosur për rrugën me pagesë Thumanë-Kashar ka acaruar kolegët e tij opozitarë të Partisë Demokratike, të cilët e kanë larguar deputetin nga salla, pasi ky qëndroi për më shumë se dy orë në foltoren e kuvendit.

Ndëshkimi i parë për deputetin erdhi nga kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali, që e përjashtoi nga punimet e kuvendit dhe e ndërpreu disa herë seancën duke i kërkuar të largohet nga foltorja. Por deputeti qëndroi aty, pa lëvizur, edhe pse seanca ndërpritej dhe rifillonte sërish. Pak minuta pasi e kishte përjashtuar deputetin që kërkonte përgjigje nga Belinda Balluku, Spiropali doli bllof sepse tha se ministrja ishte jashtë vendit për një vizitë, por nuk kaloi as një orë dhe Balluku u shfaq në sallë.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, Shehaj ndau një pjesë të debatit në distancë me Belinda Ballukun, të cilës i kërkonte përgjigje për koncensionin Thumanë-Kashar duke i kujtuar se kishte 6 muaj që i shmangej përgjigjeve për projektin që ka kushtuar qindra miliona euro nga taksat. Por pakënaqësitë e ministrave të Ramës u përcollën shumë shpejt në radhët e deputetëve të Partisë Demokratike. Disa herë, ndërsa mbanin fjalime ata i kërkuan të largohej nga foltorja dhe të gjente një mënyrë tjetër proteste.

Kur deputeti nuk u largua, në mënyrë të çuditshme nisën sulmet nga opozita.

Pas dy orësh në foltoren e Kuvendit, ai mori kritika dhe sulme të vazhdueshme nga Gazment Bardhi siç duket nga një video e filmuar nga socialistët, që nisën të fërkojnë duart për atë që ndodhte në anën tjetër të sallës.

Sipas Bardhit, ngulmimi për t’i marrë përgjigje Ballukut ishte një shërbim që po i bëhej Erjon Veliajt.

Në përgjigje, Agron Shehaj i kujtoi Gazment Bardhit rrahjen e simpatizantëve të Partisë Demokratike në 8 janar të 2023.

Situata u agravua kur në foltore i erdhi radha të fliste Flamur Nokës. Në fillim ai e shtyu Shehajn duke e larguar nga foltorja.

Kur pa se deputeti nuk kishte ndërmend të largohej, e akuzoi se po keqpërdorej nga Erjon Veliaj dhe Ëngjëll Agaçi. Pretendimet e deputetëve të Partisë Demokratike ngrihen mbi një çarje mes klaneve brenda Partisë Socialiste dhe qëndron Erjon Veliaj në njërën anë dhe Belinda Balluku në anën tjetër.

Flamur Noka, i acaruar, i afrohet Agron Shehajt nga pas dhe i hidhet për t’i marrë telefonin, duke e flakur në korridoret e kuvendit. Në këtë moment Shehaj dukej se po qëndronte në këmbë dhe nuk kishte ndërmend të përpasej fizikisht me deputetët e opozitës, por po fliste me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

“Atë që nuk e bëri garda, e bëri Flamur Noka. Erdhi dhe më largoi me dhunë” dëgjohet të thotë Agron Shehaj, që më pas sulmohet nga Noka.

Në sfond të videos dëgjohen sharjet dhe ofendimet nga Gazment Bardhi që e quan “zhele të Erjon Veliajt”, ndërsa Agron Shehaj përsërit se “atë që nuk bëri mazhoranca e bëri një përfaqësues i opozitës”.

Deri në atë moment, socialistët nuk kishin lëvizur. Edhe pse ishin të pakënaqur nga protesta e Agron Shehajt, asnjë prej tyre nuk ngriti dorë, duke e lejuar të protestojë.

Dhuna fizike i erdhi nga ish-kolegët e PD-së, që i kërkuan më tej të linte sallën.

Kjo ndërhyrje e dhunshme, i mundësoi Belinda Ballukut të vazhdonte të ndiqte e qetë seancën, edhe pse ka muaj që nuk përgjigjet për koncensionin Thumanë-Kashar.

Ndërkohë rruga nga fillimi i janarit, në rrugën Thumanë-Kashar do të nisë vjelja e pagesës për mjetet që deri tani kanë udhëtuar falas Për ndërtimin e rrugës që është 21 kilometra e gjatë, është parashikuar që konçensionari të përfitojë rreth 1.3 miliard euro për TVSH.

Faturimi do bëhet mbi një formulë komplekse, që ka ndryshuar disa herë dhe ku parashikohet të jetë rreth 2.1 euro për automjetet, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë me më pak se katër akse 6.3 euro dhe për ato me mbi katër akse arrin deri në 9 euro

Në kontratën e bërë publike shteti vendosi edhe 22.8 milion euro garanci për 8 vite nëse kompania Gener 2 me pronar Bashkim Ulajn nuk mbledh të ardhurat e planifikuara.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...