Shtatë të mbijetuar u kthyen të enjten në Azerbajxhan derisa vendi po mban ditë zie 24 orë pas rrëzimit të aeroplanit të Azerbaijan Airlines në Kazakistan, ku humbën jetën 38 njerëz.
Thashethemet kanë filluar të qarkullojnë pse aeroplani “Embraer 190” u rrëzua derisa po fluturonte sipas orarit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, drejt Groznit në rajonin rus të Çeçenisë me 67 njerëz në bord, pasi e kishte devijuar rrugën dhe kishte tentuar të bënte ulje emergjente afër qytetit Aqtau në perëndim të Kazakistanit.
Disa ekspertë përmendën vrimat e dukshme në pjesën e bishtit të avionit si shenjë të mundshme se mund të jetë goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, të angazhuara në parandalimin e sulmeve me dronë nga Ukraina.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, u tha agjencive të lajmeve se indikacionet tregojnë se një sistem kundërajror rus goditi avionin, pa dhënë ndonjë provë për këtë.
Autoritetet azerbajxhanase dhe kazake kanë nisur një hetim për ta zbuluar shkakun e aksidentit. Zyrtarët thanë se regjistruesi i kabinës së avionit është gjetur dhe bënë thirrje për kujdes në lidhje hedhjen e fajësisë para se faktet të përcaktohen.
Zyrtarët në Baku deklaruan se të lënduarit mbërritën me një fluturim special të organizuar nga Ministria e Çështjeve Emergjente e Azerbajxhanit dhe se ata u shoqëruan nga mjekë profesionistë.
Gjendja e të lënduarve, të cilët ishin ndër 29 të mbijetuarit nga rrëzimi i avionit, nuk dihet ende.
Ayhan Solomon, konsulli i lartë i Azerbajxhanit në Aqtau, u tha gazetarëve se 26 nga vdekurit janë shtetas të Azerbajxhanit.
Ai shtoi se raportet fillestare tregojnë se 16 shtetas azerbajxhanas i mbijetuan rrëzimit të avionit.
“Nga këta, 10 deri në 12 janë në gjendje të mirë, ndërsa të tjerët mbeten në gjendje kritike, por të qëndrueshme”, shtoi ai.
Këshilli mbikëqyrës i Azerbaijan Airlines njoftoi më 26 dhjetor se familjet e atyre që humbën jetën do të kompensohen me nga 23.460 dollarë, ndërsa të lënduarit me nga 11.730 dollarë.
Talgat Lastaev, zëvendësministri i Transportit i Kazakistanit, i tha REL-it se ekspertët pritet të mbërrijnë në vendngjarje më 27 dhjetor për të vlerësuar hapat e ardhshëm në lidhje me kutinë e zezë.
Zyrtarët thanë se zakonisht nevojiten rreth dy javë për të vlerësuar plotësisht një kuti të zezë, megjithëse kushte të ndryshme mund të ndikojnë në këtë kohëzgjatje.
Duke komentuar mbi raportet e pakonfirmuara se avioni mund të jetë rrëzuar nga një raketë, kryetari i Senatit të Kazakistanit, Maulen Ashimbaev, tha se është “e pamundur” të thuhet se çfarë mund ta ketë dëmtuar avionin derisa hetimi të përfundojë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri u shpreh ngjashëm, duke thënë: “Duhet të presim përfundimin e hetimit”. Peskov shtoi se është “gabim” të spekulohet para se hetuesit t’i nxirrnin përfundimet e tyre.
Sipas zyrtarëve, përveç 42 shtetasve azerbajxhanas, në bordin e fluturimit “J2-8243” ishin regjistruar edhe 16 shtetas rusë, gjashtë nga Kazakistani dhe tre qytetarë nga Kirgizia.
Në mesin e të mbijetuarve janë nëntë shtetas rusë, të cilët u dërguan në Moskë më 26 dhjetor nga Ministria Ruse e Situatave të Jashtëzakonshme. Sipas autoriteteve shëndetësore ruse, tre prej të mbijetuarve rusë janë në gjendje kritike, raporton REL.
Kompania Azerbaijan Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet nga Bakuja drejt Çeçenisë derisa të kryhen hetimet për tragjedinë.
Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, ka cituar zyrtarë të kenë thënë se avioni kishte kaluar të gjitha kontrollet në tetor dhe piloti kishte “përvojë të madhe” me mbi 15.000 orë fluturim.