Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, të dielën ka bërë të ditur se ky entitet serb në Bosnje-Hercegovinë do të “hakmerret” pas vendimit përfundimtar që e dënon atë me një vit burgim dhe ndalesë prej gjashtë vjetësh për ushtrim të aktivitetit politik.
“Hakmarrje”, ka premtuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Klankosova.tv.
Ky zhvillim ishte temë diskutimi në “Kosova Today”, me ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishin dhe gazetarin, Arientin Abdylin.
Ibishi thotë se Vuçiqin e ka kapur sikleti lidhur me vendimin për dënimin e Dodikut.
“Ka tensione që ngriten artificialisht nga Dodiku, nga bota serbe me Vuçiqin në krahë, mirëpo vendimi është përfundimtar, ata kanë edhe një shans siç thotë avokati i Dodikut, kinse mu anku në Gjykatën Kushtetuese, meqë ky është vendim i formës së prerë. Ajo çka Vuçiqin e kap sikleti, në kuptimin e asaj për shkak të presioneve çfare i ka, është se bota serbe detyrimisht e merr, pasi ata kanë formuar edhe kuvendin e përbashkët të Republikës së Serbisë dhe Republika Sërpskës, dhe detyrimisht ai duhet të ia kthej kundërshërbimin Dodikut për shkak të lidhjes me Rusinë”, u shpreh Ibishi.
Nga ana tjetër, Abdyli thotë se fillimi i fundit të Dodikut nisi nga themelimi i “botës serbe”.
Sipas gazetarit Abdyli, Dodik nga vikendi që lamë pas është arratisur në Serbi.