Që nga dita e enjte, kur u arratis nga Qendra e paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, Gjorgje Radomiroviq vazhdon të jetë në arrati dhe ende nuk ka asnjë informacion të ri për vendndodhjen e tij.
Janë bërë disa ditë që autoritetet nuk kanë arritur të siguronin asnjë gjurmë konkrete për kapjen e të dënuarit, i cili po konsiderohet tashmë një rrezik serioz për sigurinë publike.
Radomiroviq ishte dënuar në vitin 2014 për vrasjen e një personi serb, M.V. nga fshati Leshak, si edhe për plagosjen e rëndë të vëllait të viktimës.
Ai ndodhej në fazën e fundit të vuajtjes së dënimit, me vetëm 3 vjet e 7 muaj të mbetur dhe ishte kategorizuar si i avancuar, me të drejtë pune në ambientet e punëtorisë së burgut. Madje, ai ndodhej në listën e të burgosurve që mund të përfitonin lirimin me kusht.
Arratisja e tij ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga autoritetet. Policia e Kosovës ka ngritur pika të shumta kontrolli në veri të vendit dhe ka angazhuar njësi të specializuara me qen (K9) për ta lokalizuar, por pa rezultat deri tani.
Shërbimi korrektues i Kosovës ka marrë masa disiplinore urgjente, duke pezulluar nga detyra drejtorin e Qendrës së paraburgimit, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë korrektues, ndërkohë që hetimet e brendshme janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat e arratisjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, zyrtarët korrektues janë intervistuar, ndërsa qytetarët janë thirrur që të raportojnë çdo informacion në lidhje me të arratisurin, përmes numrit emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor.
Arratisja e Radomiroviqit mbetet një çështje serioze sigurie, ndërsa autoritetet gjenden ende në kërkim pa rezultat, katër ditë pas ikjes së tij.