Java e fundit ka shënuar pikun e mbërritjeve në Portin e Durrësit për këtë sezon veror.
Që nga data 6 gusht e deri në orët e paradites së sotme, mbi 30 mijë udhëtarë dhe rreth 10 mijë automjete kanë hyrë në vend përmes trageteve, pjesa më e madhe shqiptarë të diasporës që zgjedhin të kalojnë pushimet në atdhe, por edhe turistë të huaj që vizitojnë Shqipërinë, shkruan tch, transmeton Klankosova.tv.
Vetëm nga e mërkura e kaluar deri të dielën, sipas shifrave zyrtare, kanë mbërritur me tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona plot 29 mijë e 424 pasagjerë dhe 9 mijë e 469 automjete.
Për të përballuar fluksin, kompanitë detare kanë dyfishuar numrin e lundrimeve, duke e kthyer këtë javë në më të ngarkuarën e sezonit, me 6 tragete në ditë, sipas Kapitenerisë së portit.