Baseli mori një fitore komode me rezultat 3-1 në shtëpi ndaj Servettes në kuadër të javës së 15-të në elitën e futbollit zviceran.
Lojtari më meritor për këtë fitore të tyre ishte padyshim ylli shqiptar Xherdan Shaqiri i cili ishte autor i të tre golave të realizuar.
Shaqiri shënoi fillimisht një super gol në pjesën e parë për t’i dhënë epërsinë Baselit prej 1-0, rezultat me të cilin u mbyllën 45 minutat e para të këtij takimi.
Dy golat e radhës, Shaqiri i shënoi krejt në fund të takimit, më saktësisht në minutën e 91-të dhe në minutën e 92-të respektivisht për rezultatin përfundimtar 3-1 në të mirë të Baselit.
Për këtë paraqitje të jashtëzakonshme, 33-vjeçari u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes sipas Sofascore duke marrë notën 9.3.