U zhvillua këtë të premte seanca ku Ilir Meta kërkonte lirinë, pasi SPAK i ka komunikuar zyrtarisht përfundimin e hetimeve.
Seanca u shty për shkak të pranimit të kërkesës që masa e sigurisë të shqyrtohet nga gjyqtari i hetimeve paraprake ndërsa seanca e radhës pritet të zhvillohet javën e ardhshme.
Seanca u zhvillua në GJKKO me dyer të mbyllura dhe kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Bani, raporton euronews.al.
Ish-presidenti Ilir Meta nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokatët Kujtim Cakrani dhe Dylejman Karaj.
Përfaqësues i SPAK ishte Alfred Shehu, i cili mori pjesë në seancë në mungesë të prokurorëve të çështjes, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Në daljen para mediave pas përfundimit të seancës, avokati Kujtim Carkani deklaroi se klienti i tij do të lirohet.
Kujtojmë që Meta kërkon zëvendësimin e masës arrest me burg me një masë më të butë, ku avokati argumenton se tashmë nuk ekziston më mundësia që Ilir Meta të prishë provat, për shkak se hetimi është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.
Ai deklaroi se betejën do ta vazhdojnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, duke parashikuar një proces të gjatë gjyqësor.
Ish-presidenti u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atëherë ndodhet në paraburgim me masën “arrest në burg”.