Ish-komandanti i policisë sllovake, Stefan Hamran, ka thënë se është befasuar me veprimet e rojave të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pasi kreu i Qeverisë u plagos me armë në qytezën Handlova dhe se reagimi ishte dështim, pasi kishte kaos.
“Kishte kaos, kjo është e qartë, dhe ky është dështim. Ata [rojat] do të duhej që menjëherë ta fusnin në veturë kryeministrin dhe të largoheshin me të. Në atë moment, ju nuk dini nëse ka më shumë sulmues. Duhet ta dërgoni në vend të sigurt personin e mbrojtur sa më shpejt që është e mundshme” – tha Hamran, raporton gazeta sllovake, “Dennik N”.
“Nëse nuk gaboj, vetë z. Fico para pak javëve foli për kërcënimet që dikush mund të sulmonte me armë politikanë. Unë pyes se si janë analizuar këto kërcënime, kush i vlerësoi ato” – shtoi ish-komandanti i policisë.
Gjendja e Ficos
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka dalë nga operacioni dhe gjendja e tij është raportuar të jetë stabile, raportoi gazeta “The Guardian”.
Robert Fico “pritet të mbijetojë” pas operacionit, tha zëvendëskryeministri sllovak, Tomas Taraba.
Taraba i tha BBC-së se Fico nuk është më në një gjendje rreziku për jetën.
Ai tha: “Fatmirësisht, me sa di unë, operacioni shkoi mirë – dhe mendoj se në fund ai do të mbijetojë. Nuk është në një gjendje rreziku për jetën në këtë moment.”
Taraba shtoi: “Ai u plagos rëndë – një plumb shkoi duke menduar në stomak dhe i dyti goditi kyçin – menjëherë ai u transportua në spital dhe më pas në operacion.”