Live

Kupchan: Kosova dhe Serbia nuk janë të interesuara për të përparuar me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

07:43 / 28 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka deklaruar ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan.

Sipas tij, Trump e ka emëruar Richard Grenellin si të dërguar për misione të veçanta pikërisht për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Presidenti i zgjedhur Trump do të vazhdojë përpjekjet që ai filloi gjatë mandatit të tij të parë për ta çuar topin përpara mes Serbisë dhe Kosovës. Atij i interesojnë vetëm marrëveshjet që i sjellin fitore. Ai dëshiron të tregojë se mund të bëjë marrëveshje që e bëjnë botën më të sigurt. Fakti që ai e ka emëruar Richard Grenellin si të dërguar për misione të veçanta nënkupton që ai mund të përfshihet sërish në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Kupchan ka komentuar edhe idenë e një shkëmbimi të mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një marrëveshjeje finale, siç ishte diskutuar edhe më herët gjatë administratës së parë të Donald Trump.

Profesori amerikan thotë se kjo ide nuk ka vdekur dhe se gjithnjë vazhdon të jetë si një opsion në tavolinën e bisedimeve.

“Nuk do ta quaja të vdekur idenë e shkëmbimit të territoreve sepse është gjithmonë një opsion. Ka shumë arsye se pse ky opsion duhet te merret në konsideratë sepse veriu vazhdon të paraqes shumë probleme për Kosovën. Pyetja është se a do ta mbështesin këtë opsion Kosova me Serbinë si dhe faktori ndërkombëtar”, pohon ai për Tëvë1.

Kupchan nuk sheh gatishmëri nga Kosova dhe Serbia për të lëvizur përpara në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Ai pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të ketë një rol konfrontues ndaj Serbisë së paku deri në zgjedhjet parlamentare.

“Kosova dhe Serbia nuk po duken te interesuara për të lëvizur përpara me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Nuk shoh vullnet nga asnjëra palë për marrë vendime të guximshme për kompromis. Veprimet e qeverisë Kurti në veri; për ndërrimin e targave, mbylljen e strukturave paralele, dhe instalimi i kryetarëve shqiptarë nuk i kanë ndihmuar procesit të dialogut. Kurti do të vazhdojë të luajë një rol konfrontues për shkak se zgjedhjet janë afër, mirëpo pres që ai të jetë më konstruktiv pas këtyre zhvillimeve”, përfundon ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...