Live

Lufta me dronë në Ukrainë, “zile zgjimi” për Pentagonin

18:20 / 09 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Kur një dron amerikan MQ-9 Reaper pati fluturuar mbi aeroportin e Bagdadit në orët e para të 3 janarit 2020, dhe e kishte gjuajtur raketën Hellfire, që e ka vrarë gjeneralin iranian, Qasem Soleimani, akti ishte përshkruar si shpërfaqje e forcës së plotë të supremacisë së dronëve amerikanë.

Sulmi ka qenë i saktë, dhe aspak i rrezikshëm për forcat amerikane. Ai përshkruhej si kulminacion i investimeve me dekada në pajisje të mëdha pa pilot dhe të cilësisë së lartë. Secila prej tyre kushtonte miliona dollarë.

Por, pesë vjet më vonë, disa analistë, por edhe disa politikanë, e pranojnë që ky dominim po përmbyset.

Lufta në Ukrainë e ka transformuar luftën me dronë, pasi në këtë konflikt shihet prezenca e dronëve të vegjël, të lirë, dhe të atillë që nisen nga luftëtarët në vijën e frontit.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara po tentojnë ta kapin ritmin, teksa dronët bëhen të domosdoshëm në luftërat moderne.

“Shtetet e Bashkuara e kanë njërën prej industrive më mbresëlënëse të dronëve në botë, mirëpo këta dronë janë shpesh shumë të mëdhenj dhe shumë të shtrenjtë. Në të njëjtën kohë, ajo çfarë dëshirojmë nga industria në këtë moment janë dronë të lirë por me kualitet të lartë”, ka thënë Brad Bowan, analist i mbrojtjes në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive, me seli në Uashington.

“Ne kemi qenë vërtet të humbur sa i përket aftësisë së industrisë amerikane për të prodhuar dronë me kosto të ulët në sasi të mëdha”, ka thënë ai, duke e përshkruar luftën në Ukrainë si “zile zgjimi” për Pentagonin.

Sa më lirë, aq më mirë

Ukraina pritet të prodhojë më shumë se 4 milionë dronë të llojeve të ndryshme këtë vit, sipas ish-ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Rustam Umerov.

Shumica prej tyre kushtojnë disa qindra dollarë. Edhe Rusia është duke prodhuar miliona dronë të vegjël, pasi e ka kuptuar se ka nevojë për kinezët dhe iranianët për të përfituar nga dronët e tyre më të vegjël dhe jo shumë të sofistikuar.

Për dallim prej tyre, droni Reaper që e ka vrarë Suleimanin, është rreth 10 metra i gjatë, peshon 2.200 kilogramë dhe kushton 30 milionë dollarë.

Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që t’i blejnë 366 sosh përgjatë kohëzgjatjes së programit që i ka zëvendësuar dronët paraprakë Predator. Dronë të llojit Predator ishin prodhuar në 270 njësi përgjatë dy dekadave.

Kur Rusia e ka nisur luftën e plotë kundër Ukrainës më 2022, pjesa më e madhe e flotës së dronëve të ushtrisë amerikane ishin ndërtuar me teknologjinë e kohës së dronëve Predator dhe dronët ishin të dizajnuar për fushata kundër kryengritjeve.

Ndonëse ushtria amerikane është lidere në dronët e prodhuar me teknologji të avancuar, aktualisht nuk është asnjë prodhues amerikanë që prodhon dronë të lirë në sasi të mëdha, sipas të dhënave të siguruara nga industria.

Sipas një raporti të së përditshmes amerikane, New York Times, besohet se prodhimi vjetor amerikan shkon në më pak se 100.000 njësi.

Për vite, importet e lira nga Kina – sidomos nga kompania DJI, prodhuesja më e madhe e dronëve në botë – e kanë dominuar tregun amerikan, çka ka ndikuar në ulje të prodhimit të brendshëm. Por, kjo mund të ndryshojë.

Pas importimit të mbi 800.000 dronëve më 2023 – shifra më e lartë ndonjëherë – importet kanë rënë për shkak të ashpërsimit të politikave për Dogana dhe Kufij.

Shtetet e Bashkuara tani janë duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së një ndalese të plotë në dronët e kësaj kompanie, pasi i konsiderojnë kërcënim për siguri kombëtare.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është gjithashtu duke marrë masa për ta adresuar situatën. Në një intervistë të realizuar këtë javë për rrjetin televiziv amerikan, News Nation, Emil Michael, nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për çështje kërkimi dhe inxhinierie, ka thënë se Qeveria do të përpiqet t’i minimizojë barrierat burokratike për prodhim.

“Duhet ta eliminojmë burokracinë kur bëhet fjalë për prodhimin e dronëve”, ka thënë ai.

Një shembull i asaj se çfarë synojnë Shtetet e Bashkuara duket se është shpërfaqur në qershor kur operacioni ukrainas “Rrjeti i Merimangës” u realizua me dhjetëra dronë që depërtuan thellë në territorin rus për t’i sulmuar bazat ajrore.

Dhjetëra dronë janë kontrabanduar përtej kufirit dhe më pas vonë janë aktivizuar.

Ukraina ka pretenduar se kulmet e kamionëve që i kanë bartur dronët, janë hapur “prej distancës” për të mundësuar nisjen e operacionit që si përfundim ka pasur rezultat shkatërrues për Rusinë.

“Ky sulm duhet të jetë një zile zgjimi për ushtritë në gjithë botën”, ka thënë Stacie Pettyjohn, drejtoreshë e Programit për Mbrojtje në Qendrën për Siguri të re amerikane, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Shoqata Ndërkombëtare për sistemet e pajisjeve pa pilot tregon se ekzistojnë 235 kompani amerikane që prodhojnë dronë për tregjet e marketingut dhe 40 të tjera që prodhojnë prototipa.

Sipas saj, shumë kompani të fokusuara në çështje të mbrojtjes i kanë bërë të ditura plane për zgjerim, por ka shumë sfida rrugës.

Sipas shoqatës, mungesa e përkushtimit të qëndrueshëm ndaj prokurimit nga Departamenti i Mbrojtjes dhe vështirësitë në furnizimin po e ngadalësojnë rritjen në këtë sektorë.

“Prioriteti i parë tani ka të bëjë me zgjerim dhe shpejtësi, mirëpo të dyja aspektet janë të vështira për t’u arritur pasi ne e kemi mësuar gjithë industrinë për dekada që ta bëjë të kundërtën, dhe tani ajo po përjeton një ndryshim dramatik”, ka thënë Bowman.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth është zotuar muajin e kaluar për të rishikuar procesin e prokurorimit të dronëve dhe për t’i rritur stërvitjet me dronë.

“Dominimi i dronëve është garë procesesh, aq sa është garë teknologjike. Për fushëbeteja moderne kërkohen strategji të reja prokurimi që i bashkojnë prodhuesit me trupat tanë në vijën e frontit”, ka thënë ai në një dokument të publikuar më 16 korrik.

Chad Raduege, konsulent për dronë me bazë në Oklahoma dhe gjeneral i pensionuar i forcave ajrore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se inovacioni amerikan në prodhim dronësh do të përshpejtohet vetëm kur ushtria të pranojë sisteme të lira dhe do të mund të eksperimentojë me to.

“Dronët duhet të jenë në duart e operatorëve, ata duhet të stërviten me to, dhe më pas do të lindin taktika që do ta avancojnë makinerinë amerikane të luftës”, ka thënë Raduege.

“Vetëm atëherë do të mund të shohim gjëra të përpikta”.

Shpërndaje në

U Kopjua