Luftimet vazhduan të enjten në disa fronte në Lindjen e Mesme, duke marrë jetën e të paktën 16 njerëzve.
Pesë persona u vranë në Izraelin verior nga një raketë që u hodh nga Libani, përfshirë një fermer dhe katër punonjës të huaj, njoftuan autoritetet. Ndërkaq, Libani njoftoi se tetë persona u vranë në pjesën jugore të shtetit.
Zyrtarët palestinezë thonë se gjatë një sulmi izraelit në Bregun Perëndimor u vranë tre vetë. Ushtria izraelite njoftoi se ka sulmuar depot e armëve të grupit militant Hezbollah dhe bazat e tij në Siri. Sipas ushtrisë izraelite, në këto baza siriane, përgjatë kufirit Siri-Liban, grupi Hezbollah ka filluar të mbledhë armët para se t’i dërgojë ato kontrabandë në Liban.
Izraeli paralajmëroi banorët e qytetit Baalbek, në Libanin lindor, që të largohen nga aty, për të dytën ditë me radhë. Të mërkurën, Izraeli kreu sulme ajrore duke goditur objektet e grupit Hezbollah në dhe përreth qytetit që është i njohur për tempujt e tij romakë.
Dhjetëra automjete janë parë duke u larguar nga zona pasi Izraeli lëshoi paralajmërimin për evakuim, ndërsa shtëllunga tymi shiheshin në qiell mbi Douris, një qytet aty pranë. Ushtria izraelite kreu sulme ajrore një ditë më parë në Douris, që sipas ushtrisë së Izraelit dhe një burimi nga forcat e sigurisë së Libanit kanë shkatërruar rezervat e naftës së grupit Hezbollah.
Ndërmjetësit amerikanë dhe ata izraelitë janë takuar në Izrael për të diskutuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Liban, ku forcat izraelite po luftojnë kundër grupit Hezbollah dhe në Gazë ku po luftojnë kundër grupit militant palestinez, Hamas. Të dyja organizatat, që kanë mbështetje financiare dhe ushtarake nga Irani, janë shpallur organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha ndërmjetësit amerikan Amos Hochstein dhe këshilltarit për Lindjen e Mesme Brett McGurk se një marrëveshje armëpushimi me grupin Hezbollah duhet të ofrojë garanci për sigurinë e Izraelit.
“Kryeministri ka thënë se çështja kryesore nuk është ajo që shkruhet në letër për këtë marrëveshje apo ndonjë tjetër, por vendosmëria dhe kapaciteti i Izraelit për t’u siguruar që marrëveshja të zbatohet dhe për të penguar të gjitha kërcënimet e sigurisë nga Libani”, njoftoi zyra e Kryeministrit Netanyahu pas takimit në Jerusalem.
Bisedimet janë përqendruar mbi një marrëveshje të mundshme armëpushimi prej 60 ditësh që do të lejonte zbatimin rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Kjo rezolutë i bën thirrje grupit Hezbollah të tërheqë praninë ushtarake prej një pjesë afër kufirit me Izraelin.
Drejtuesi i sapoemëruar i grupit Naim Kassem tha gjatë kësaj jave se grupi militant libanez nuk heq dorë nga lufta pa iu ofruar një marrëveshje, kushtet e të cilës të jenë të pranueshme për ta.
Vrasja e gjashtë anëtarëve të personelit mjekësor dhe plagosja e katër të tjerëve në tre sulme të ndara, përgjatë Libanit jugor të enjten, e çoi numrin e përgjithëm të të vdekurve mes personelit mjekësor në 178.
Grupi militant libanez njoftoi se ka hedhur disa raketa dhe ka kryer disa sulme artilerie ndaj forcave izraelite në afërsi të qytetit Khiyam, të enjten. Kjo është dita e katërt gjatë të cilës janë zhvilluar luftime në qytetin me rëndësi strategjike ku jeton një prej komuniteteve më të mëdha shiite në Libanin jugor.