Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka vizituar kompleksin e xhamisë al-Aksa në Jerusalem dhe ka kryer lutje atje.
Vizita dhe lutjet e Ben-Gvir në kompleksin e xhamisë al-Aksa ka shkaktuar zemërim te Hamasi, teksa sipas BBC-së, lutjet e bëra nga Ben-Gvir bien ndesh me një marrëveshje të hershme e cila ua lejon hebrenjve ta vizitojnë vendin, por jo të luten atje.
Zyra e kryeministrit izraelit publikoi një deklaratë duke thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim në politikën e Izraelit për të ruajtur marrëveshjen e status quo-së.
Sipas marrëveshjes së status quo-së, Jordanisë iu lejua të vazhdonte rolin e saj historik si kujdestare e vendit, ndërsa Izraeli mori kontrollin e sigurisë dhe hyrjes.
Ndërsa, Jordania që kujdeset për vendin, vizitën e Ben-Gvir e quajti si “provokim të papranueshëm”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Hamasi e quajti atë “një thellim të agresioneve të vazhdueshme kundër popullit tonë palestinez”, ndërsa një zëdhënës i Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se vizita “i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe”.
Ben-Gvir nga kompleksi i xhamisë al-Aksa përsëriti thirrjen e tij që Izraeli ta pushtojë të gjithë Rripin e Gazës dhe të inkurajojë atë që ai e përshkroi si “emigrim vullnetar” të palestinezëve nga territori.
Ai është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar për “nxitje të përsëritura të dhunës kundër komuniteteve palestineze” në Bregun Perëndimor.