Një person ka humbur jetën dhe të paktën 29 të tjerë janë plagosur pasi një tërmet me magnitudë 6.1 ballë goditi qytetin Sındırgı në provincën Balıkesir të dielën në mbrëmje.
Dhjetëra ndërtesa u shembën si pasojë e tërmetit, i cili dërgoi valë goditëse që u ndjenë rreth 200 kilometra në veri në qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin. Të plagosurit mbetën të bllokuar nën ndërtesat që u shembën pas dridhjeve.
“Kishim dy qytetarë që shpëtuan vetë. Katër nga qytetarët tanë u shpëtuan nëpërmjet përpjekjeve shumë të shpejta të kërkimshpëtimit. Fatkeqësisht, një nga të shpëtuarit, një qytetar i moshuar 81-vjeçar, humbi jetën”, tha ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya.
Shumica e ndërtesave që u shembën ishin të braktisura dhe të papërdorura, tha Yerlikaya. Ai shtoi se edhe dy minare xhamie u shembën, ndërsa të plagosurit nuk ishin në gjendje të rëndë.
Tërmeti shkaktoi të paktën 20 pasgoditje, të ndjera në qytetet İzmir, Kutahya, Yalova, Stamboll, Manisa, Uşak, Aydın, Eskişehir, Sakarya dhe Tekirdağ, si dhe Balıkesir qendror.
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave e vendit u bëri thirrje qytetarëve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa lëkundjet pasuese goditën vendin.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, lëshoi një deklaratë duke u uruar qytetarëve të prekur shërim të shpejtë.
“Zoti e ruajttë vendin tonë nga çdo lloj fatkeqësie”, shkroi ai në X.
Turqia një vend që ndodhet sipër disa vijave të mëdha të çarjes është e prirur ndaj tërmeteve. Në vitin 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 shkaktoi shkatërrime në provincat jugore dhe juglindore të vendit, duke vrarë më shumë se 53,000 njerëz, shumica të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave që u shembën.
Ekspertët kanë paralajmëruar se një tjetër tërmet i madh në Turqi mund të shkaktojë dëme të rënda dhe humbje jetësh në vend, ku miliona njerëz ende jetojnë në ndërtesa që nuk janë të mbrojtura nga tërmete.