Përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë bënë që presidentët e ShBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, të takohen pas një kohe të gjatë.
Alaska, shteti më verior i Shteteve të Bashkuara, është zgjedhur si vendtakimi neutral për këtë takim të rëndësishëm mes dy liderëve botërorë – një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Trump mbërriti i pari në vendin e takimit, ndërsa Putini u prit në mënyrë formale nga homologu amerikan. Të dy liderët shtrënguan duart dhe u përshëndetën, përpara se të ecnin në tapetin e kuq, i cili ishte shtruar posaçërisht për ceremoninë.
Në fund të parakalimit, ata qëndruan para mediave për një sesion fotografik, ku vërehej buzëqeshja dhe qetësia diplomatike në sjelljen e tyre.
Pas kësaj pritjeje zyrtare, Trump dhe Putin u nisën me veturë drejt objektit ku po mbahet takimi i shumëpërfolur.