Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, është i mendimit se reagimi i ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me rastin e thirrjeve raciste antishqiptare në një ndeshje basketbolli në Kumanovë, janë subjekt i shqyrtimit për largimin e tij nga misioni diplomatik.
Prenkaj thotë se diplomati Florian Qehaja duket se nuk pati koordinim me presidenten Vjosa Osmani për reagimin e tij, pasi, siç shprehet, deklarata e tij nuk përputhet me deklaratën zyrtare të së parës së shtetit.
E sipas ish-ambasadorit Prenkaj, kjo po ndodhë pasi Kosova aktualisht nuk ka qeveri, me të cilën Presidenca do duhej koordinuar politikën e jashtme.
“Dalja e Ambasadorit të Kosovës, Qehaja, në Shkup në lidhje me (mos) reagimin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Mickoski, e që nuk përputhet me deklaratën zyrtare të Presidentes Osmani-Sadriu, tregon qartë krizën e thellë politike në Kosovë. Një kakofoni politike që është pasojë e mungesës së qeverisë dhe Presidentes e cila nuk ka qeveri për t’u koordinuar”.
“Në këtë rast, Ambasadori Qehaja do të duhej të bashkërendojë me Presidencën për të përcjellë mesazhin shtetëror të Republikës së Kosovës me rastin e mos reagimit të duhur të Qeverisë së Maqedonisë Veriore” ndaj thirrjeve ultra-nacionaliste antishqiptare gjatë një ndeshjeje sportive.
“Këto veprime të diplomatit janë subjekt i shqyrtimit për largim nga misioni diplomatik meqë konsiderohet vollunterizëm dhe mos zbatim i politikës shtetërore”, deklaroi Prenkaj.
Ish-ambasadori theksoi se me Kushtetutën e Kosovës, shef i Politikës së Jashtme është Presidenti, në këtë rast Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.
“Sipas rregullit, diplomati/Ambasadori zbaton Politikën e Jashtme të qeverisë dhe autoriteteve më të larta shtetërore. Në kohën kur Kosova është në ngërç politik, pra nuk ka qeveri legale dhe legjitime, me deputet të certifikuar nga KQZ që kanë uzurpuar postet qeveritare, secili zyrtar publik në vend, e posaçërisht diplomat, nuk do të duhej të kenë dyshim se cila është pika referente institucionale të cilës duhet referuar”, u shpreh ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj.