Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se po zhvillon hetimet në dy raste të ndara ndaj të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodrën, i cili njëherë u lirua me dorëzani.
Në komunikatën që ka publikuar Nacionale, bëhet e të ditur se me datë 25 prill 2025, PSRK është njoftuar nga Policia e Kosovës për paraqitjen e një kallëximi penal nga ana e B.H. ndaj të dyshuarit M.Sh.
Ndërsa, tutje nga Prokuroria theksojnë se menjëherë pas pranimit të informatave, në po të njëjtën ditë Prokuroria ka filluar të ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka autorizuar hetuesit policorë për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të nevojshme ligjore.
“Në këtë rast, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi në fazën fillestare të procedurës kanë qenë të nevojshme ndërmarrja e veprime të tjera hetimore me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Sipas ligjit, paraburgimi mund të kërkohet dhe të caktohet vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Derisa, Prokuroria sqaron se në rastin e parë, i dyshuari M.SH dhe E.SH kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin.
“Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themleore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, njofton PK.
Njëkohësisht në kuadër të këtij hetimi, bëhet e ditur se ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme.
Ndryshe, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që ndodhi dje në Gjilan, Mefail Shkodra, ishte liruar në tetorin e vitit të kaluar, pasi ishte dyshuar për vepren e fajdes.
Një sqarim për lirimin e tij e dha Gjykata Themelore e Prishtinës për Klankosova.tv. Në një përgjigje me shkrim nga kjo gjykatë thuhet se ai dhe biri i tij Edonisi i cili po ashtu ishte arrestuar në këtë rast dhe po ashtu ishte i dyshuar për fajde, kishin ofruar një parcelë në të cilën kishte dy objekte të ndërtuara dhe që plotësonin dorëzaninë e kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vlerë prej 70 mijë euro, 50 mijë për Mefailin dhe 20 mijë për Edonisin.