Një vit më parë, Presidenca e Kosovës kishte konfirmuar se institucionet e sigurisë kanë mbledhur informata se si gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, po e cenon sigurinë kombëtare e rendin kushtetues të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera relevante ishin informuar për këtë veprimtari të gjyqtarit Laban.
Burimet e Klanit bëjnë të ditur se pikërisht ky gjyqtar është caktuar të premten nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë lidhur me rendin kushtetues të Kosovës, në cilësinë e gjyqtarit raportues.
Mësohet po ashtu se kryetarja paraprake e Kushtetueses, Gresa Caka, nuk e kishte caktuar Labanin si gjyqtar raportues në asnjë lëndë të rëndësishme.
Ndërkaq, sipas burimeve, kryetari aktual i Gjykatës, Nexhmi Rexhepi, ka vepruar ndryshe duke ia caktuar atij lëndën e cila konsiderohet më e rëndësishmja, që ka të bëjë me mbrojtjen e rendit kushtetues por edhe me krijimin e precedentit për të ardhmen sa i përket krijimit të institucioneve.
Presidentja i kërkoi Kushtetueses sqarim kompetencash për konstituimin e Kuvendit
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik të këtij viti me Kërkesë për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit.
Kjo Kërkesë, sipas saj, ka karakter preventiv të pasojave juridike, nëse nuk konstitohet Kuvendi deri më 26 korrik, në frymën e Aktgjykimit kushtetues.
“Kjo është një situatë e paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku përkundër Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm
(30 ditësh), e që kanë mbetur edhe pak ditë (deri në skadim), dhe ende nuk shihet një konsensus për konstituimin e Kuvendit”, pati thënë Osmani para mediave më 22 korrik.
Kush është Radomir Llaban?
Radio Evropa e Lirë raportoi më 2 shtator 2021 se Radomir Llaban u bë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në gusht të vitit 2018, pas emërimit nga Kuvendi i Kosovës në maj të po atij viti. Asokohe, ai ishte një nga kandidatët me numrin më të madh të pikëve dhe kishte mbështetjen e Listës Serbe.
Pak para emërimit të Radomir Llabanit në postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi kërkoi verifikim shtesë për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë, por në fund ai u zgjodh gjyqtar për një mandat nëntëvjeçar.
Llaban gjendet në Kosovë që nga viti 2011, pasi kishte ikur nga Serbia, ku ishte dënuar me gjashtë vjet burg, për shkak se ishte pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore”, një grup i të dyshuarve për pranimin dhe dhënien e ryshfetit, shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.
Llaban është mbajtur në paraburgim në Serbi që nga nëntori 2006 deri në prill 2009.
Gjykata Themelore në Kralevë më 19 gusht 2021 ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radomir Llaban është ende nën urdhërarrestin e Serbisë, si dhe nën urdhërarrestin e INTERPOL-it, për ikje nga vuajtja e dënimit me burg për krimin e pranimit të ryshfetit.