Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili po përballet aktualisht me drejtësinë.
Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cenon kjo imazhin e Partisë suaj?
Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sikurse ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.
Kryebashkiakut i Tiranës, Erion Veliaj, u mor në pyetje një ditë më parë nga SPAK, që tregoi se ka nisur hetimet dhe regjistruar procedim penal për katër vepra penale që janë edhe korrupsioni aktiv dhe pasiv i funksionarëve të lartë, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë.
Përshkrimi i veprimeve hetimore nga ana e SPAK vjen pak orë mbasi kryebashkiaku në mbledhjen e Këshillit bashkiak tha se ishte denoncuar nga një qytetar anonim i quajtur Nesti Angoni, i cili shtoi se Veliaj është një personazh që nuk ekziston.
SPAK shpjegon se informacioni për referimin e veprave penale ka marrë shkas nga kallëzimi i këtij shtetasi të vet-identifikuar, por hetuesit e BKH pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë referuar të dhënat mbi bazën e të cilave është regjistruar procedimi penal i mësipërm.