Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm të MPJ-së është shprehur e shqetësuar me Ligjin për Zyrtarët Publik.
Sipas komunikatës së Shoqatës Sindikale, ligji ka disa dispozita për të atakuar ndërtimin e një administrate profesionale, shkruan kosovalive.net
KOMUNIKATA E PLOTË:
Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm të MPJ-së, shpreh shqetësimin lidhur me aprovimin e dy ligjeve diskutabile të cilët janë nxjerrë së fundi në emër të reformës në administratën publike: Ligji për Zyrtarë Publik dhe Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në të cilat, në mes tjerash, trajtohet Shërbimi i Jashtëm. Shoqata ka vërejtur se ligjdhënësi nuk e ka marrë parasysh faktin se kur flitet për shërbimin e jashtëm, duhet marrë parasysh shërbimin diplomatik jashtë vendit dhe shërbimin në Ministri. Pra, nocioni “shërbim i Jashtëm” nënkupton në të njejtën kohë zyrtarët diplomatik në mision diplomatik jashtë vendit dhe në MPJD.
Sa i përket Ligjit për Zyrtarë Publik, Shoqata Sindikale shpreh shqetësimin e saj lidhur me disa prej dispozitave diskutabile të cilat si të tilla janë atak në ndërtimin e një administrate profesionale dhe në zhvillimin e karrierës profesionale dhe i hapin rrugë politizimit të administratës shtetërore e me këtë edhe shërbimit të jashtëm ose e thellojnë edhe më shumë.
Po në ligjin e njejtë, shërbimi i jashtëm mbetet të trajtohet me nenin 4 të këtij ligji i cili taksativisht thot: 1. Nëpunësit profesionalë të shërbimit diplomatik dhe shërbimi korrektues janë nëpunës civilë me status të veçantë, të cilët rregullohen me këtë ligj dhe me ligj të veçantë.
Ligji i veçantë i cili trajtohet sipas këtij neni e trajton shërbimin e jashtëm pa e përjashtuar nga fusha e këtij ligji ashtu siç i rregullon subjektet sipas pikavr 1,2,3,4 dhe 5 të këtij neni, nen i cili trajton FSK-në, Policinë, funksionarë publik, funksionarë publik me status të veçantë, gjyqtarë dhe prokurorë, zyrtarë doganorë etj.
Pra, për të rregulluar funksionin dhe struktutën e shërbimit të jashtëm, ashtu siç rregullojnë ligjet e shërbimeve të jashtme të vendeve fqinje dhe vendeve demokratike, shërbimi i jashtëm duhet të trajtohet me Lex Specialis dhe jo me sintagmën e nenit 4 të Ligjit për Zyrtarë Publik, “…ligj i veçantë”. Sa i përket Ligjit për Pagat, në të cilin trajtohen diplomatët sipas nivelit të gradave në shërbim diplomatik, është e qartë tendenca se diplomatët në ministri do të vazhdojnë të trajtohen me koeficient të zyrtarit publik. Njëtrajtësisht, ashtu siç do të rregullohej me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm çështja e shërbyesve diplomatik, me të njëjtin ligj në fjalë do të duhet të rregullohej edhe statusi financiar/rregullohej niveli i pagave. Diplomatët, sipas praktikave të shërbimeve të jashtme si në rajon, ashtu në vendet demokratike, paga e diplomatit si në ministri, ashtu edhe në mision diplomatik rregullohet sipas nivelit të gradës diplomatike. Kurse, kur diplomati/tja emërohet në mision diplomatik, ai/ajo merr shpenzimet e kostës së jetesës sipas listës së OKB-së.
Andaj, Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Kosovës në të dy ligjet e sipërpërmendura është trajtuar në mënyrë të padinjitetshme, jashtë normave dhe parimeve siç trajtohen shërbimet e jashtme.
Si rrjedhojë e kësaj, Shoqata Sindikale e MPJ-së kërkon që të amandamentohet Ligji për Zyrtarë Publik dhe sa më shpejtë të nxjerret Ligji për Shërbimin e Jashtëm i cili në kuadër të rregullimit të strukturës dhe funksionimit të saj, duhet të rregulloj nivelin e pagave të diplomatëve si në mision diplomatik, ashtu në MPJD, në bazë të gradave diplomatike, dhe jo sipas zgjidhjes së tanishme që në Ministri sipas pozitës që mbanë dhe duke e neglizhuar gradën diplomatike.
Kjo praktikë jo e mirë, jo normale dhe për më tepër tendenca për të vazhduar me avazin e vjetër, vazhdon të dëmtoj shërbimin e jashtëm e me këtë menaxhimin jo adekuat të vet politikës së jashtme të shtetit tonë.
Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm konsideron se politika e jashtme e një shteti nuk mund të projektohet dhe as të implementohet me këshilltarë të kabineteve që sa ora vijnë e shkojnë dhe lënë pasojat e rënda në relacion me shtetet tjera apo organizatat ndërkombëtare. Ajo është një ndërmarrje komplekse e cila kërkon një shërbim diplomatik të trajtuar me dinjitet, respekt dhe me përgjegjësi institucionale dhe politike. Diplomati është përfaqësues i shtetit dhe duhet evituar çdo mundësi të keqatrajtimit apo neglizhimit administrativ, politik e financiar. Sepse, shërbimi i jashtëm (MPJ dhe misionet diplomatike) janë ai mekanizmi i vazhdimësisë formale të politikës së jashtme. Ky shërbim kërkon projekcione politike afatgjata dhe jo të momentit të një politike qeveritare, pra një navigim korrekt, koherent, të bazuar në përvoja të mira dhe funksionale.
Në këtë drejtim, është çështje thelbësore që ligjet në fjalë dhe Ligji për Shërbimin e Jashtëm të kenë parasysh specifikat e një shërbimi aq të rëndësishëm për funksionimin e shtettit në arenën ndërkombëtare.