Live

Sorensen duart e lidhura në dialog, donte takim Kurti-Vuçiq, tash po i “menaxhon” arrestimet që i kryen palët

17:42 / 03 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Ndërmjetësi europian mundi t’i ulte përballë njëri-tjetrit në tavolinë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Ai takim i qershorit mbeti akti i fundit i një përpjekjeje të vështirësuar shumë tashmë për një takim ndërmjet kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Arrestimet e shtetasve të njëra-tjetrës që pasuan në të dyja anët ia kanë ndërlikuar punën Peter Sorensenit, i cili së fundmi u ankua për këtë në Berlin. Gjermani kërkoi që Kosova dhe Serbia “të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim” dhe i nxiti palët që “të rifillojnë angazhimin e plotë në procesin e dialogut”.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, u duk se po angazhohej konkretisht në dialog me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në dialog, kur në fillim të qershorit e zhvilloi takimin e parë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në atë udhëtim, Bislimi do të takohej drejtpërdrejt edhe me Petkoviqin, por më pas u tha se kjo s’ishte bërë e mundur për shkak të disa vonesave të delegacionit serb.

“Fillimisht ai na tregoi me qasjen që ai mendon që ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kallas, dhe pastaj në takimin bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është shumë me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje”, tregonte Bislimi për takimin me Sorensen.

Ai tregonte se kishte “i paraparë edhe një trilateral” por shonte se “ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”.

I pyetur se a kishin kuptim ato takime në situatën në të cilën gjendet Kosova dhe nëse kjo do të ndikonte në procesin e dialogut, Bislimi thoshte: “Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”.

Sorensen, i cili nisi punën e ndërmjetësit në një situatë kur kurba e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ishte në lartësinë e saj më të madhe dhe kur të dyja vendet dukej se po merreshin më shumë me gjendjet e tyre brenda, është shfaqur optimist në fillim të vitit.

Takimi i 2 qershorit me Bislimin, diplomati danez thoshte se ishte “në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh”.

“Prita Kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi për një takim në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh të Dialogut në Bruksel sot. Diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë së shpejti një takim trepalësh”, shkruante Sorensen në X.

Rreth një javë më vonë, Sorensen i uli përballë njëri-tjetrit Bislimin e Petkoviqin në një takim që u tha se u zhvillua “në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë” mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ablin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Mbajta një takim të gjatë me Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Diskutuam për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë të Dialogut, për detyrimet e paplotësuara të zbatimit dhe për çështjet aktuale. Ramë dakord ta vazhdojmë diskutimin së shpejti”, shkroi Sorensen.

Diskutimi i tij me Bislimin e Petkoviqin në tavolinë mbeti aty dhe një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq u bë pothuajse i pamundur.

Arrestime

Pak ditë para se Bislimi të udhëtonte drejt Brukselit për herë të dytë në qershor, për t’u takuar me Petkoviqin, Serbia kishte arrestuar një shtetas të Kosovës në Beograd.

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po mbahet në paraburgim prej atëherë, si i dyshuar “vrasje të rëndë”, sipas Gjykatës së Lartë në Suboticë. Ai akuzohet për vrasje në Banjskë, në shtator 2023, ku një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në korrik, në Kosovë u arrestuan, akuzuan e gjykuan disa serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Më 17 korrik u arrestua polici Bojan Jevtiq, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.

Një ditë më vonë në Kosovë u arrestua ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq, pasi gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i krahasoi veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të premten në një mbledhje të Qeverisë se institucionet e sigurisë kanë dëshmi për lidhjet e Igor Popoviqit me agjencinë serbe të inteligjencës, BIA dhe se ai ka incizuar ilegalisht disa biseda në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi më 17 shtator 2020 në Bruksel.

Në këtë situatë, puna për Peter Sorensenin duket e vështirësuar dukshëm. Ai u takua të martën në Berlin me ministrin gjerman të Shtetit, Gunther Krichbaum, i cili u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet dhe të përmbahen nga përshkallëzimi, ndërsa i vlerësoi përpjekjet e diplomatit danez.

“U bëjmë thirrje Qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet tashmë të arritura pa vonesa të mëtejshme, të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim. I nxis të dyja vendet që të rifillojnë angazhimin e plotë në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, gjithashtu për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe një moderim kritik në deklaratat publike në vetëdije të mandatit të tyre përkatës. Gjermania është e gatshme t’i mbështesë të dyja vendet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, thuhet në një komunikatë pas takimit.

Aty u përmend edhe arrestimi i Popoviqit.

Ne e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor në këtë drejtim. Dialogu dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një shtyllë e një Bashkimi Europian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë ta ndjekim nga afër arrestimin e fundit të Zëvendësdrejtorit të Serbisë Igor Popoviq në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”, thuhet aty.

Gjithashtu, ministri gjerman tha se po ndjekin nga afër edhe arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu dhe se presin që “Serbia të sigurojë plotësisht dhe me shpejtësi zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë, që përcakton se procedimet penale për vepra në Kosovë duhet të zhvillohen parimisht në Kosovë”.

“U kujtoj të gjithë aktorëve të përfshirë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore europiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e anëtarësimit në BE”.

Shpërndaje në

U Kopjua