Tetë persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar pasi është shembur streha e stacionit hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, tha ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Dy persona ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe Daçiq tha se ekipet e shpëtimit po tentojnë që t’i nxjerrin nga aty.
Aktualisht, afër 80 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.
“Ne do të insistojmë që të gjithë përgjegjësit të gjenden dhe ata që janë përkujdesur për gjendjen e kësaj strukture dhe të kësaj ndërtese të mbahen përgjegjës”, tha kryeministri serb, raporton REL.
Ai tha se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.