Një ushtar i ushtrisë së Malit të Zi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është lënduar rëndë gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në zonën e Kuçës, afër Podgoricës, ka bërë të ditur të martën Ministria e Mbrojtjes.
Sipas raportimit të “Vijesti”, 41-vjeçari Dejan Bozhoviq vdiq si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për shuarjen e flakëve në këtë rajon. Aksidenti ndodhi kur mjeti u përmbys dhe rrëshqiti poshtë një shpati të pjerrët.
“Bozhoviq ishte anëtar i Batalionit të Parë të Këmbësorisë, i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Ai kishte shërbyer në ushtri që nga viti 2006. Rreshteri i plagosur Ikoviq, gjithashtu anëtar i Batalionit të Parë të Këmbësorisë, u trajtua dhe u transportua për trajtim mjekësor. Ai ka lëndime të rënda fizike, por aktualisht është në gjendje të qëndrueshme dhe të vetëdijshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ushtria malazeze, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.