Live

160 çerdhet e premtuara, Nagavci aktivizohet para zgjedhjeve – për një muaj kontrata në vlerë afër 3 milionë Euro

21:10 / 05 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavcin, është aktivizuar në muajt e fundit të mandatit për të përmbushur premtimin për ndërtimin e 160 çerdheve. Brenda një muaji, Ministria e Arsimit ka nënshkruar katër kontrata në vlerë totale rreth 3 milionë euro për ndërtimin e çerdheve në Deçan, Viti, Obiliq dhe Prizren.

Për ndërtimin e çerdhes në Deçan, me kontratë është shpërblyer grupi i kompanive “SOPI group SH.P.K: Roza Komandi B.I”. Vlera e kontratës është 708 mijë e 902 euro, derisa nënshkrimi është bërë më 2 tetor.

Kontratë tjetër në vlerë rreth 570 mijë euro është dhënë për çerdhen që do të ndërtohet në Milloshev të Obiliqit. Punët do t’i kryejë konsorciumi “ CONSTRUMAX SH.P.K: HARST Group SH.P.K:

Çerdhen në lagjen Dardanian ë Prizren do ta ndërtojë kompania “TOP PROJEKT SH.P.K: ISEFERI SH.P.K”. Vlera e përgjighshme e kontratës është 743 mijë e 246 euro. Edhe kjo kontratë është nënshkruar më 2 tetor.

Për çerdhen në Viti, kontrata është nënshkruar në fillim të këtij muaji. Vlera e saj është 718 mijë e 646 euro dhe i është dhënë konsorciumit “Pro&Group SH.P.K: FlorinG SH.P.K”.

Kontratat janë dhënë me procedurë të hapur, e kohëzgjatja e tyre është për një periudhë prej 36 muajsh.

Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar javën e kaluar se si  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nënshkruar 10 kontrata, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për punë shtesë në ndërtimin e çerdheve që janë në ndërtim e sipër. Vlera e këtyre kontratave sillet rreth gjysmë milioni euro dhe shumica e tyre janë nënshkruar të njëjtën ditë, më 17 tetor, e në total në një periudhë rreth dy javore.

Ndryshe, para se të vinte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se do të ndërtonte 160 çerdhe. Për ta përmbushur këtë premtim, është ende larg.

Deri në fillim të këtij viti, ishin ndërtuar vetëm katër prej tyre, e në janar ishin publikuar njoftime paraprake për ndërtimin e 19 të tjerave.

Një bilanc rreth punës për ndërtimin e çerdheve e kishte bërë kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 16 dhjetor 2023.

“Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite, janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, në periudhën 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon: -4 çerdhe të përfunduara, -26 në proces të punës, -3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës, dhe -8 çerdhe në proces të tenderimit”, kishte deklaruar Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...