Një përplasje ka filluar që nga dje mes deputetes së LDK’së, Hykmete Bajrami dhe Ministrit të Financave, Hekuran Muratit. Shkak është bërë një shifër për shpenzimet për karburante që ka publikuar Bajrami nga Raporti i Auditorit, ku figuron se vetëm gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar 31 milionë euro. Murati e ka quajtur të pavërtetë këtë pavarësisht se shifra ishte në raport të auditorit, duke thënë se shpenzimet për vitin 2023 janë 10.47 milionë euro. ZKA ka reaguar duke e demantuar veten, me arsyetimin se ka ndodhur një lëshim teknik dhe të dhënat në atë raport kanë mbetur nga ai i vitit 2022 dhe e ka korrigjuar raportin që iu referua Bajrami, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vazhduar edhe sot përplasjen që nisën dje.
Bajrami bëri dje një postim në Facebook, ku tha se gjatë vitit të kaluar, janë shpenzuar mbi 31 milionë euro naftë për vetura zyrtare, e për këtë iu referua raportit vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Çka ka me thanë ”ministri i financave” lidhur me konfirmimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023, faqe 42, ku thuhet se gjatë vitit 2023 vetëm për karburante janë shpenzuar 31 milionë Euro, ndërsa për furnizime mjekësore 51 milionë Euro. Pra, furnizime mjekësore për krejt qytetarët e Kosovës 51 milionë Euro, a veç naftë për vetura zyrtare 31 milionë Euro, (ta kemi të qartë bëhet fjalë për një një vit, jo për një mandat).”. shkroi Bajrami në atë postim.
Përgjigjen Murati ia ktheu tek sot, derisa deklaratat e saj i quajti lajme të rreme. Murati tha se shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe atë lokal, është 10.47 milionë euro.
“Kjo është e faktuar edhe në raportin vjetor financiar të miratuar e dorëzuar në Kuvend. Duhet theksuar se shumica e këtij shpenzimi shkon për flotën e automjeteve të policisë dhe të FSK-së. Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave për vitin 2023 është 31 milionë euro është i pavërtetë, dhe i pasaktë”, shkroi Murati.
Për shifrën prej 31 milionë euro që Bajrami iu referua Auditorit, Murati tha se “mund të jetë përmbledhje që përmban edhe shumat që janë shpenzuar për naftë për ngrohje, ose dru zjarri për ngrohje, por nuk ka të bëjë me shifrën faktike që është shpenzuar për karburant për automjete”.
Bajrami iu kundërpërgjigj duke ia publikuar pjesën e raportit ku theksohet shifra prej 31 milionë euro, derisa e quajti Muratin “manipulues”.
“Trego kush po rren. A po rren Zyra Kombëtare e Auditimit? Në Raportin e Auditimit 2023, në faqe 42, shkruan se janë 31 milionë euro shpenzime në karburante.
Ministër, i vetmi manipulues këtu jeni ju, por mashtrimeve dhe manipulimeve po ju vjen fundi dhe atë shumë shpejtë, me 9 shkurt”, shkroi Bajrami.
Murati bëri sërish reagim në llogarinë e tij në Facebook, ku tha se Bajrami “po rren” kur po thotë se janë shpenzuar 31 milionë euro naftë për vetura zyrtare.
Ai tha se në vitin 2023 për qeverinë bashkë me të gjitha institucionet e tjera dhe komunat, karburant për vetura, është shpenzuar 10.47 milionë euro.
Në këtë reagim, Murati tha se shifra prej 31 milionë në raportin e Auditorit, duhet të jetë lëshim Teknik ose përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku hyjnë ehde nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit.
“Për dallim prej teje, që se ke problem të baltosësh institucionet në kuadër të fushatës së pistë që po bëni, unë dua të besoj në integritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe që shifra prej 31 milionë eurove, ose duhet të jetë ndonjë lëshim teknik, ose duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit. Por nëse je aq e interesuar, mund edhe të kërkosh informata shtesë e sqarime nga ZKA. Si kryesuese e Komisionit Parlamentar që mbikëqyr këtë institucion, të takon”, iu drejtuar Murati-Bajramit.
Për këto akuza, Bajrami s’vonoi shumë e ju përgjig, teksa e quajti Muratin ministër “të mashtrimeve dhe dështimeve”.
Ajo tha se për shifrën i referohet Zyrës Kombëtare të Auditimit, derisa tha se nuk befasohet nëse ZKA “del edhe kundër raportit të saj e ju mbron juve”.
“I referohem Zyrës Kombëtare të Auditorit sepse edhe unë i besoj pavarësisht se keni kapur dhe instrumentalizuar secilin institucion nga AKI-ja e deri te Policia e Agjencitë tjera të pavarura. Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj e ju mbron juve.
Shiheni në raportin e ZKA-së për vitin 2019: për karburante për vetura, lëndë djegëse dhe dru, janë shpenzuar rreth 13.5 milionë Euro, derisa në 2023 vetëm në karburante 31 milionë Euro. Faktet janë fakte. Manipulimeve po ju vjen fundi”, shkroi Bajrami.
Murati më s’bëri ndonjë reagim për këtë punë, por me një postim doli sërish Bajrami.
Ajo publikoi një shkresë nga Zyra Kombëtare dhe Raportin e Auditimit të korrigjuar.
Bajrami akuzoi Qeverinë se ka modikuar raportin e ZKA’së, duke thënë se këtë raport e ka pasur si draft Murati dhe ekipi i tij, por se s’kanë reaguar më herët.
Sot, më shumë se kurrë duhet të ngritemi kundër kapjes së institucioneve të pavarura. Nëse këta arrijnë me i modifiku raportet e ZKA-së, dy muaj pas publikimit, mundemi me marrë me mend se çka janë në gjendje të bëjnë me raportet që i shkruajnë vetë, siç është ai i shpenzimeve vjetore.
“Sapo i pranove në e-mail shkresën, vendimin dhe Raportin e Auditimit për vitin 2023, të korigjuar. Për informatën e të gjithëve këtë raport e ka pasë si draft Hekuran Murati dhe krejt ekipi i tij, atëherë nuk i kanë vrejtë gabimet. Sot, më shumë se kurrë duhet të ngritemi kundër kapjes së institucioneve të pavarura. Nëse këta arrijnë me i modifiku raportet e ZKA-së, dy muaj pas publikimit, mundemi me marrë me mend se çka janë në gjendje të bëjnë me raportet që i shkruajnë vetë, siç është ai i shpenzimeve vjetore”, shkroi Bajrami, duke bashkangjitur edhe një pjesë të postimit që kishte bërë më herët ku kishte thënë se pret që ZKA t’i del në mbrojtje Muratit.
Zyra Kombëtare e Auditimit doli më pas edhe më një reagim zyrtar lidhur me të dhënat në atë raport, që i publikoi Bajrami.
Në reagimin e ZKA’së u tha se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022.
“Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ZKA-ja sqaron se në faqen 42 përkatësisht te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023”, u tha në njoftim.
Nga ZKA dhanë edhe versionin e korrigjuar të pjesës së raportit që citoi Bajrami.
“Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor I Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj.
Për hir të korrektësisë, njoftojmë opinionin publik se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur. Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €”, u tha në reagimin e ZKA’së.
Tutje në reagim u tha “se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës”.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti më pas konferencë për këtë çështje, ku kërkoi hetim.
Zyrtari i kësaj partie, Berat Rukiqi duke folur para gazetarëve në lidhje me ndryshimin e raportit, tha se ky është një rast i paprecedentë që nuk ka ndodhur më parë.
“Jemi në këtë konferencë në orët e vona për një rast të paprecedentë që ka ndodhë, një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale, Qeverisë së Kosovës në institucione të pavarura, në këtë rast te raportet e Zyrës Kombëtare e Auditimit. E thashë që është një rast i paprecedentë për shkak se një të tillë nuk e kemi parë asnjëherë në demokracinë modern të Kosovës, dhe për më shumë, nuk është vetëm ndërhyrje në numra, por falsifikim i raporteve zyrtare që kanë qenë publike nga gushti i këtij viti.”, u shpreh Rukiqi.