Në kudër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, po debatohet për betejën me kancerin në Kosovë.
Ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka folur për numrin e rasteve më kancer të gjirit në Kosovë.
Sipas Kurtishit, prej vitit në vit numri i rasteve me kancer të gjirit ka pasur rritje prej 3 deri në 5 për qind.
“Realisht sa kam qenë unë në Klinikë, prej vitit në vit kemi pasur rritje prej dikund 3 deri 5% më përjashtim të vitit pandemik, kur kemi pasur numër më të vogël për arsye të moslajmërimit të femrave por në përgjithësi të qytetarëve për shkak të frikës nga COVID-19 dhe ndalesës të disa shërbimeve”- ka thënë Kurtishi.
Në vitin 2021 numri i grave të diagnostikuara me kancer ka qenë 420 deri në 430.
“Në bazë të të dhënave të SHSKUK-së, numri në vitin 2021 ka qenë rreth 420 apo 430 femra të diagnostikuara me kancer. Por ky numër mund të jetë diçka më i lartë, sepse kemi femra të cilat nuk lajmërohen në klinikë tek ne por marrin trajtim jashtë Kosovës” – ka thënë tutje Kurtishi.
Ai ka thënë se në Kosovë ka një trend të rritjes së rasteve si në të gjitha vendet e rajonit.
Sipas ish-drejtorit të Onkologjisë, kanceri i gjirit zë vendin e parë prej tumoreve në përgjithësi në Kosovë.
Tutje Kurtishi ka folur edhe për faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve me këtë lloj kanceri.
“Faktorët e jashtëm dhe të brendshëm ndërveprojnë dhe shfaqet sëmundja, shprehitë, mosha, shtyrja e jetës te njeriu, sa më shumë që jetojmë mundësia për të pasur kancer është më e madhe” – ka thënë ai.
Ai po ashtu ka shtuar se çelësi i trajtimit të kësaj sëmundjeje janë kontrollet rutinë që duhet të bëhen.
“Qëllimi i mjekimit të sëmundjes së kancerit është që sëmundja të zbulohet herët, mundësisht në stadin 0 ose 1 dhe çelësi i kësaj është kontrollet rutinë që duhet të bëhen”- ka thënë ai.
Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.