Kanë kaluar më shumë se 6 muaj që nga koha kur vendi është pa Kryeprokuror të Shtetit. Ndërsa, vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por, kjo pozitë po vazhdon të drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Besim Kelmendi, i cili erdhi në krye të detyrës me 21 prill të këtij viti, shkruan Kosovalive.net.
Me 6 prill, Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit, ndërsa propozimi i KPK’së iu është dorëzuar me 8 prill presidentes Osmani.
Neni 84, pika 17, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thotë se Presidenti/ja emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje se pse ky emërim ka hyrë në një fazë delikate dhe nëse ka lëshime të qëllimshme në këtë proces, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani në një përgjigje për Kosovalive.net, ka thënë se Presidentja nuk ka afat kushtetues për dekretimit për Kryeprokurorin e Shtetit.
“Presidentja nuk ka afat kushtetues për dekretimit për Kryeprokurorin e Shtetit. Rrjedhimisht zgjidhja ligjore tash është tek Këshilli Prokurorial i Kosovës, pra i mbetet këtij institucioni ta anuloj konkursin për kryeprokuror dhe ta rishpall atë”, ka deklaruar njohësi i kushtetueses, Enver Hasani.
Kosovalive.net, prej disa ditëve ka provuar të kontaktojë akterët e sistemit të drejtësisë, përkatësisht kryetarin dhe disa anëtarë të KPK’së, por të njëjtit nuk janë paraqitur fare për tu deklaruar rreth kësaj teme të ndjeshme, e po ashtu për tu përgjigjur konkretisht nëse ka konflikt midis tyre dhe zyrës së Presidencës.
Procesi i intervistimit të kandidatëve është kritikuar nga shoqëria civile të cilët zëshëm janë deklaruar se procesi duhet të kthehet në pikën zero./Kosovalive.net/