Deputeti i Lidhjes Demoratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar në Kuvend pas rastit në Spitalin e Pejës ku dyshohet se një foshnje e pajetë është futur në rrobalarëse.
“Dje kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë për rastin tragjik që ka ndodhur me foshnjën e pajetë në spitalin e Pejës të cilën e cilësojmë si një krim të rëndë dhe për më keq krim i cili është tentuar të fshihet nga pushteti për tetë ditë me radhë”, ka thënë Zemaj në Kuvend.
“E kemi thënë në vazhdimësi që kjo qeveri e cila i ka prodhuar tre ministra të Shëndetësisë për dy vjet me radhë, përfshirë edhe Kurtin, e ka arritur kulmin e dëmtimit në sektorin e shëndetësisë”.
Zemaj tha se rasti i fshehur për tetë ditë nga organet përgjegjëse është krim makabër, duke thënë që Kurti është i pari që duhet të dorëhiqet.
“Mirëpo rasti për foshnjën e pajetë që pretendohet se është futur në rrobalarëse me qarqaf në Spitalin e Pejës, kjo i ka kaluar të gjitha limitet”.
“Është tepër i rëndë, tepër i frikshëm”.
“Fshehja e rastit nga pushteti përgjegjës është krim makabër”.
“Kryeministri Kurti është i pari që duhet ta shkarkojë veten nga pozita e drejtorit të shëndetësisë”.
Në fund Zemaj kërkoi nga kryeministri që së paku ta emërojë një ministër të Shëndetësisë, dhe një të tillë që së paku nuk bën dëm.
“Kryeministër, pas këtij dështimi tënd të faktuar, së paku mundohu ta emërosh një ministër të Shëndetësisë, atë sa më parë, ndonëse tash edhe kërkesat ndaj jush i kemi të bazuara, ai apo ajo ministre e mundshme së paku të mos e dëmtojë shëndetin e qytetarit”.
“Së paku të mos i lë pacientët pa shërbime shëndetësore dhe assesi që të lejojë të ndodhë apo të fshehë ndonjë krim eventual”.