“Nata e Zjarreve” është një traditë që përkujton luftën e familjes së Adem Jasharit për lirinë e Kosovës, apo më saktësisht, rezistencën e tyre, ndaj regjimit të ish-kasapit të Ballkanit Sllobodan Millishoviq-it, shkruan Kosovalive.net.
Të martën e 7 marsit duke nisur nga ora 18:00 do të fillojë ndezja e flakadanëve në Prekaz dhe kështu do të përmbyllet dita e tretë e manifestimit gjithëpopullor për Epopenë e UÇK-së.
Përveç në Skenderaj, edhe në Prishtinë do të ndizen flakadanët e lirisë nga kryetari Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Nata e Zjarreve” do të mbahet edhe në Prishtinë. Ky është viti i dytë që kryeqyteti e shënon Epopenë e UÇK-së, për të vazhduar kështu traditën e përkujtimit të luftës dhe sakrificës së njerëzve tanë për liri”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.
Por, cila është simbolika e “Natës së Zjarreve”?
Nata e zjarreve ka një simbolikë të veçantë. Shënohet në natën e fundit të Epopesë së UÇK-së, pasi që më 7 mars 1998 kishte përfunduar edhe rezistenca e Jasharëve.
Pas rënies së familjes Jashari, forcat serbe ua kishin vënë zjarrin shtëpive dhe në mbrëmjen e 7 marsit, nga larg shihej zjarri në kullat e familjes Jashari. Kështu, simbolikisht, dita e fundit e Epopesë së UÇK-së quhet “Nata e Zjarreve”.
Përveç kësaj, 7 marsi quhet “Nata e Zjarreve” pasi që pikërisht nga kjo ditë edhe është shpërndarë “zjarri” i luftës në të gjithë Kosovën.
Epopeja e UÇK-së, e cila nisi të dielën, përfundon sonte me “Natën e Zjarreve”.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj dhe më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj./Kosovalive.net/