Live

Kurti citohet të ketë thënë në Berlin: “S’ua imponoj serbëve draft-Statutin e Asociacionit, është shkelje e të drejtave të njeriut”

08:35 / 29 Prill 2024

Nga Kosova Live

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi më 16 prill me shumicë të madhe raportin e Dora Bakoyannis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj. Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Komitetit të Ministrave të Këshillit, duke e lënë të pasigurt fatin e Kosovës, me çështjen e Asociacionit e cila pritet të ndikoj në votimin e radhës. Në këtë kontekst, gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), i ka kushtuar një artikull sfidave që rrjedhin nga mungesa e iniciativës nga komunat serbe me dyshimet për pengesa të orkestruara nga Beogradi dhe argumentit të Kurtit në Berlin se qeveria “s’ua imponon serbëve draft-Statutin e Asociacionit, është shkelje e të drejtave të njeriut”.

Gazeta shkruan se Kurti e paraqiti këtë argument në Berlin, duke deklaruar se çdo asociacion i komunave, përfshirë ato të dominuara nga serbët, duhet të inicohet dhe të miratohet në nivel lokal dhe jo të imponohet nga lart-poshtë nga qeveria kosovare apo subjektet e jashtme.

“Një asociacion komunash, qofshin ato serbe, mund të themelohet vetëm nga vetë këto komuna. Do të ishte shkelje e parimeve të Këshillit të Evropës dhe Kushtetutës së Kosovës nëse qeveria kosovare do të donte t’i impononte me dekret asociacionit të komunave serbe një draft nga Kuinti (apo ndonjë tjetër). Qeveria mund të sigurojë kornizën dhe të mbështesë themelimin e një asociacioni të komunave me vullnet të mirë, por nuk mund ta imponojë atë – shtysa për këtë do të duhej të vinte nga niveli lokal, nga vetë komunat”, citohet të ketë thënë Kurti.

Megjithatë, siç shkruan mediumi, mungesa e iniciativës nga komunat serbe ngre dyshime për pengim të orkestruar nga qeveria e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Kontrolli i Beogradit mbi politikanët serbë kosovarë duket se po përdoret për të krijuar një ngërç, duke e penguar Kosovën të përmbushë kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Evropës, thuhet në artikull.

“Nga këndvështrimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili kontrollon dhe drejton politikanët e serbëve të Kosovës, konflikti është një kurth i përsosur për Kosovën: Beogradi i ndalon politikanët serbë në ish-krahinën e tij të ndërmarrin iniciativa premtuese për të krijuar një asociacion të komunave ose të mbështesin propozime që janë në përputhje me Këshillin e Evropës, ndërsa në të njëjtën kohë ankohen me zë të lartë për mungesën e atij asociacioni”, thuhet aty.

Në përpjekje për të kapërcyer këtë, gazeta, duke cituar politikanët e SPD-së, vë thekin të disa diskutime në Berlin në lidhje me mundësinë e shtrimit të propozimit nga avokatët kushtetues nga Këshilli i Evropës për të shmangur ‘kurthin’ e Beogradit.

“Për të përmbushur kërkesën e Kuintit, pati gjithashtu diskutime në Berlin nëse propozimi i tij për një asociacion serb të komunave mund t’i dorëzohej tani për shqyrtim avokatëve të shquar kushtetues nga Këshilli i Evropës. Kjo mund të jetë një rrugëdalje nga kurthi serb, sipas politikanëve të SPD-së në Berlin”, thuhet aty.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...