Live

Hoti: Qasja e gabuar e Kurtit rrezikon përjashtimin e Kosovës nga CEFTA e Procesi i Berlinit

13:43 / 05 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ia “ka lidhur këmbët” Kosovës me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, pasi që sipas tij, fokusi kryesor i kësaj ujdie është themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe jo njohja reciproke.

Hoti thotë se qasja e gabuar e Kurtit rrezikon përjashtimin e Kosovës nga mekanizmat rajonalë CEFTA dhe Procesi i Berlinit. Krahas kësaj, ai nënvizon se Ekzekutivi vendor nuk mund të pretendojë se ka shtrirë sovranitetin në veri derisa komuniteti serb nuk është përfshirë në institucione.

Ai i sheh me rezerva takimet e krerëve institucionalë në SHBA dhe vendet aleate, pasi siç thotë, rezultatet në politikën e jashtme janë zero. Ai ka edhe një porosi për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Kosova ia ka lidhur këmbët vetes me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Këtu ndihem keq. Përderisa kemi lënë procesin e dialogut në binarë që dërgon në njohje reciproke, sot kemi përfunduar me një marrëveshje e cila fokusin kryesor e ka në themelimin e asociacionit. Derisa në qeveritë paraprake kemi pasur letra të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të dyja të angazhohen në proces të dialogut për njohje reciproke, tash kemi presion ndaj Kosovës që të angazhohet në themelim të asociacionit. Ky është dallimi dhe degradimi i dialogut gjatë këtij mandati”, tha Hoti.

Ish-kryeministri Hoti, thotë se Qeveria Kurti ka humbur besimin e aleatëve andaj ata edhe e kërcënojnë Kosovën me përjashtim nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit

Sipas tij, vendosja e masës së sigurisë për mallrat serbe nuk është e duhur, pasi për çdo dyshim nevojitet të fuqizohen kufijtë dhe të rritet shkalla e gatishmërisë pa pasur nevojë për masa tjera që rrezikojnë Kosovën në këta mekanizma rajonalë.

“Tash kemi ardhur në një situatë ku diskutohet për prezencën e Kosovës në Procesin e Berlinit. Ajo çka mua më shqetëson edhe si deputet dhe ish- kryeministër që kam qenë pjesë në udhëheqjen e këtyre proceseve në emër të Kosovës, është situata e krijuar duke kthyer Kosovën në problem të sigurisë në rajon… Vetëm ideja që Kosova mund të largohet nga ky mekanizëm është i dëmshëm. Sinjali që mund të dërgohet tek investitorët, partnerët, aleatët dhe partnerët tjera është i dëmshëm. Një klasë politike me pak sens për rrjedhat politike, nëse punon për interesat e vendit, i merr veprimet në kohën e duhur në mënyrë që mos të vijmë në situata të tilla… Qasja e tillë e qeverisë nuk i përligj këto argumente që mund t’i kenë. Ne mund t’i fuqizojmë kufijtë, rrisim shkallën e gatishmërisë pa pasur nevojë për masa tjera që na rrezikojnë Procesin e Berlinit dhe CEFTA”, thekson Hoti.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...