Në 25-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kreu i saj, Memli Krasniqi ka pritur në takim bashkëshorten e ish-presidentit Hashim Thaçi, Lumnijen, si dhe atë të ish-kryetarit Kadri Veseli, Violetën, shkruan Gazeta Online KosovaLive.
Krasniqi ka thënë se sot më shumë se çdo herë tjetër ndjehej mungesa e Thaçit dhe Veselit.
“Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, pata nderin dhe kënaqësinë të pres bashkëshorten e Presidentit Hashim Thaçi, Lumnijen dhe bashkëshorten e Kryetarit Kadri Veseli, Violetën.
Urimet që i shkëmbyem për këtë 25 vjetor, fatkeqësisht nuk ishin të plota, sepse sot më tepër se çdoherë ndjehej mungesa e dy liderëve tanë”, ka shkruar Kransiqi në Facebook.
“Më shumë se mall, sot ndjejmë krenari që pjesë të rrugëtimit tonë jetësor i kemi dy burrështetas të guximshëm që ndryshuan fatin e Kosovës, dy udhëheqës vizionarë që e ngritën, zhvilluan dhe transformuan Republikën tonë, dy çlirimtarë që po vazhdojnë misionin e tyre në mbrojtje të së vërtetës së historisë së vendit dhe popullit tonë”, ka shkruar kryetari i PDK-së në Facebook.