Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e mirëpret çdo ndihmë financiare për partinë e tij në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
Haradinaj ka falënderuar anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie, teksa ka thënë se është i hapur për të pranuar ndihmë financiare.
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dua të shpreh falëndërimin dhe mirënjohjen time për mbështetjen tuaj të vazhdueshme, për punën, angazhimin dhe vizionin tonë për Kosovën. Pa këtë mbështetje do ta kishim të vështirë funksionimin tonë, në përputhje me objektivat dhe sfidat që i kemi si Parti e si Shtet. Praktikat e vendeve demokratike, por edhe baza ligjore e Kosovës, e parasheh edhe mbështetjen financiare për parti politike, e cila njëkohësisht përcakton edhe limitin prej 2 mijë eurosh brenda një viti kalendarik, për personat fizik dhe 10 mijë për personat juridik.
Për të gjithë ju që e konsideroni dhe keni vullnet për mbështetje financiare për AAK-në, atë mund ta bëni vetëm përmes llogarisë bankare të AAK-së. E vlerësojmë çdo ndihmë, sado modeste të jetë”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së në postimin e tij në Facebook ka paraqitur edhe xhirollogarinë bankare ku mund të bëhet transferimi i të hollave.