Live

Cilat ishin mesazhet kryesore të O’Brien pas vizitës në Kosovë?

08:44 / 22 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien ka vizituar Kosovën.

Pas një takimi të gjatë me kryeministrin Kurti, O’Brien dha mesazhe të qarta lidhur me dialogun, raportet e Amerikës me Kosovën, Asociacionin dhe tema të tjera.

O’Brien theksoi se dëshiron të shohë më shumë diskutime dhe koordinim të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në përpara ndërmarrjes së veprimeve të caktuara, e sidomos kur përfshijnë trupat e NATO-s në veri, raporton Gazeta10.

“Herë pas here kemi mospajtime, por kjo ndodh mes miqve. Duam që të kemi më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-s në KFOR apo në veri. Gjithashtu dëshirojmë që të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim i tillë”, tha O’Brien.

“Ballkani Perëndimor ka mundësi të arta për të integruar ekonominë e vet, por edhe për t’iu bashkuar tregut të njësuar evropian, që shkon me planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili ofron mundësi për të tregtuar me energji, me mallra dhe shërbime të ndryshme në tërë Evropën. Ky është motori që e shtyn rritjen e ekonomisë në mënyrë dramatike, andaj më vjen shumë mirë që Kosova është bërë pjesë e këtij komuniteti”, tha O’Brien.

Ai theksoi se me Kurtin kanë biseduar gjithashtu për mundësitë që Kosova të ecë më shpejt drejt Evropës.

O’Brien tha se SHBA është e vetëdijshme që po arrihet përparim në integrimin e serbëve, porse shtoi se me Kurtin kanë biseduar pikërisht për qasje të ndryshme që duhet të ndërmerren tash e tutje.

“Biseduam se si të ecet më shpejt drejt Evropës. E dijmë se po arrihet përparim në integrimin e qytetarëve në veri, veçanërisht komunitetit serb, prandaj diskutuam për qasje të ndryshme, të cilat mund të ndërmerren”, tha Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.

O’Brien tha se dialogu po zgjatet, e që Kosova duhet ta shfrytëzojë rastin.

“Duam që të dy vendet dhe të gjitha vendet e rajonit të ecin sa më shpejt që është e mundur. Duam që kufinjtë të rrijnë të hapur që shoqëritë të punojnë bashkërisht në eksportimin e të mirave, mallrave dhe që njerëzit të punojnë dhe jetojnë në një vend tjetër. Duam që vendi ta shfrytëzojë këtë mundësi sepse nganjëherë e keni një mundësi dhe nëse nuk do ta shfrytëzoni, nuk do ta keni atë për një kohë të gjatë”, tha O’Brien.

“Kurti e kupton që është një çast unik, për shkak se kemi të gjitha ato tranzicione që po ndodhin. Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian edhe në SHBA kemi zgjedhje, e dijmë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, tha O’Brien në Politiko në Kanal 10.

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Kosova duhet të dërgojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kushtetuese.

“Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese është zotim bazë. Nuk e presim vetëm nga kryeminstri Kurti, por kanë qenë edhe disa kryeministra të mëhershëm që e kanë bërë, prandaj e presim këtë edhe nga Kosova”, tha O’Brien.

O’Brien theksoi se Asociacioni është mënyrë që komunat e ngjashme të shkëmbejnë përvoja dhe të flasin se si do t’i trajtojnë problemet.

“Asociacionet janë shumë të zakonshme në Evropë, sa e dijmë ne, janë mbi 400 asociacione të tilla nëpër tërë Evropën. Asociacioni nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër, por është një mekanizëm për bashkërenditje, siç e shohim ne në Italinë Veriore apo në ishujt e Suedisë apo në Belgjikë”, tha O’Brien.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...