Live

Mesazhi i Von der Leyen në Prishtinë: Kosovës i duhet ende punë që t’i hiqen masat ndëshkuese

09:21 / 27 Tetor 2024

Nga Kosova Live

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha të shtunën në Prishtinë se vendimi i qeverisë së Kosovës që të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia dhe përparimi i saj në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, mund të hapin rrugën për heqjen e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i vuri asaj pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të vendit.

Por, Von der Leyen ka deklaruar se duhet punuar për hapat e mëtejshëm që të arrihet në një pikë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të binden për heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave”.

“Ne të dyja (Von der Leyen dhe Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

“Pas kësaj mendoj që duhet të punojmë në hapat e mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat ndaj Kosovës. Këto zhvillime gjithashtu do të ndihmojnë në bindjen e vendeve anëtare, sepse siç e dini, të gjitha shtetet duhet të pajtohen për një vendim të tillë”, tha ajo në një konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se është koha e fundit që të hiqen masat ndëshkuese.

“Përveç se të padrejta këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pa baraspeshë, të pabarabartë dhe pa besueshmëri”, tha ajo.

Von der Leyen qëndroi të shtunën në Kosovë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin, për t’i siguruar ata se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet përparësi e bllokut, posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

Vitin e kaluar Bashkimi Evropian miratoi një plan të rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje për të ndihmuar përshpejtimin e procesit të integrimit.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian mbi një vit më parë të hiqen. Këtë kërkesë kryeministri Kurti tha se e edhe gjatë ditëve të fundit.

Por zëdhënësi i BE-së Peter Stano, u përgjigj duke thënë se “Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”.

Ai bëri të ditur se diskutimet për këtë çështje vazhdojnë të zhvillohen mes shteteve të bllokut, derisa përmendi edhe raportin e shefit të tij, kryediplomatit Josep Borell, në të cilin rekomandohej heqja e këtyre masave.

“Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një deklaratë në emër të BE-së, i pasuar nga raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, ka thënë Stano.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para më shumë se një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...