Një burgosur i moshës 45-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e sulmit në zemër mbrëmjen e së martës.
Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ku në njoftim thuhet se para tri ditësh ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Gjilanit për trajtim. Sipas SHKK’së, pas tri ditësh gjendja e tij u përkeqësua, shkruan Insajderi.
“Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut”, u tha nënjoftim.
Kosovalive merr vesh se viktima ishte nën masën e paraburgimit si i dyshuar për dhunë në familje.
Sipas burimeve, dyshimet e para janë që ai ka pasur sulm në zemër, por për t’u zbardhur rrethanat, Prokuroria e Pejës ka angazhuar njësitet relevante dhe institucionet përkatëse për hetime të mëtejshme.