Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në një mbledhje elektronike të mbajtur sot ka ka aprovuar ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve Paga dhe Shtesa për komunat Kamenicë dhe Viti, për muajin tetor 2024.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike në të cilën ka aprovuar ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve Paga dhe Shtesa për komunat Kamenicë dhe Viti, për muajin tetor 2024”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Gjatë muajit të kaluar, një pjesë e punonjësve të Komunës së Vitisë nuk kishin marrë pagat, shkruan gazeta online Reporteri.net,
Nga Ministria e Financave thanë se kjo komunë nuk e ka siguruar buxhetin e nevojshëm dhe se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës, duke i lënë jashtë punëtorët e arsimit.
Në njoftim u tha se përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani dhe se Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator.
“Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit”, theksohej në njoftim të ministrisë.
Në anën tjetër, Komuna e Vitisë e kishte akuzuar Ministrinë e Financave se ka marrë mjetet për paga për të paguar obligimet e kontratave kolektive.