Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot ka mbajtur një tubim me mërgimtarë në Augsburg të Gjermanisë, ku bashkë me të ka qenë edhe partneri i koalicionit Fatmir Limaj nga Nisma dhe partnerët e tjerë, shkruan Reporteri.net.
Ai përmes një postimi në Facebook thotë se Qeveria aktuale ka dështuar të krijojë ura të qëndrueshme me diasporën, duke i lënë në harresë kontributet dhe aspiratat e tyre, shkruan Reporteri.net.
Haradinaj thotë se me qeverisjene e tij do të ndryshohet rrënjësisht qasja, siç pohon përmes lehtësirave konkrete tatimore për bizneset e diasporës dhe krijimit të një profili të qartë ekonomik që prezanton mundësitë reale për investime.
“Së bashku do të krijojmë një epokë të re zhvillimi, ku çdo bashkëatdhetar, kudo që ndodhet, bëhet pjesë aktive e transformimit të vendit tonë. Kjo është më shumë se një premtim – është një vizion i realizueshëm për një Kosovë më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Në tubimin e sotëm në Augsburg, zemra e diasporës rrah për Kosovën. Me partnerin tonë të Koalicionit, z. Fatmir Limaj e të tjerët, po ndërtojmë një vizion të përbashkët për diasporën – një forcë transformuese për zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit tonë. Bashkëatdhetarët tanë në Gjermani nuk janë thjesht një komunitet jashtë vendit, por një potencial i jashtëzakonshëm për ndryshim.
Qeveria aktuale ka dështuar të krijojë ura të qëndrueshme me diasporën, duke i lënë në harresë kontributet dhe aspiratat e tyre. Ne do të ndryshojmë rrënjësisht këtë qasje përmes lehtësirave konkrete tatimore për bizneset e diasporës dhe krijimit të një profili të qartë ekonomik që prezanton mundësitë reale për investime. Do të implementojmë një strategji gjithëpërfshirëse që promovon sektorët kyç ekonomikë dhe potencialin turistik të Kosovës.
Fëmijët e diasporës meritojnë të ruajnë lidhjen e fortë me identitetin dhe kulturën tonë. Do të formalizojmë arsimin plotësues në diasporë dhe do të krijojmë programe mentorimi për transferimin e njohurive. Përmes një platforme të dedikuar për diplomaci publike dhe kulturore, do të forcojmë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të hapim perspektiva të reja për zhvillim ekonomik.
Kosova që po e ndërtojmë, e anëtarësuar direkt në NATO përmes Planit Aksional, ka nevojë për energjinë, ekspertizën dhe rrjetet ndërkombëtare të diasporës.
Së bashku do të krijojmë një epokë të re zhvillimi, ku çdo bashkëatdhetar, kudo që ndodhet, bëhet pjesë aktive e transformimit të vendit tonë. Kjo është më shumë se një premtim – është një vizion i realizueshëm për një Kosovë më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht.