Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës pret sot nga kryeministri Albin Kurti “që ta ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut”.
Ai iu referua takimit të sotëm midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
“Sot në Prishtinë takohen dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut dhe gjithmonë kam qenë në mbështetje të mbledhjeve të përbashkëta! Personalisht, e kam hedhur idenë në Qeverinë e Kosovës dhe kemi miratuar konceptin e mbledhjes së përbashkët të qeverive para 10 vitesh”.
“Është mirë që deri më tani ka pasur mbledhje të përbashkëta, por e veçanta e kësaj mbledhjeje është kjo: Sot vjen në Kosovë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila është e përkushtuar që ta përmbysë dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritja më e madhe e vetë shqiptarëve në Maqedoni”.
“Sot pres që Qeveria e Kosovës ta ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është e shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan. Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë sot zërin edhe për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut!”
“Mjerisht, kemi një Qeveri të Kosovës, e cila ka bërë çdo gjë që ta rikonfigurojë Planin e Ahtisaarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse tentativat për ta zhbërë Marrëveshjen e Ohrit, që është arritja më e madhe politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!”
“Çfarë më shqetëson mua është se çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit, dhe për të rikonfiguruar realitetin politik të krijuar nga ato, është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan!”