Live

Pacienti dyshohet se nuk e mori trajtimin e duhur mjekësor, shefi i Repartit të Psikiatrisë intervistohet në Polici

20:44 / 18 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Një pacient nga Gjakova dyshohet se nuk e mori trajtimin e duhur mjekësor në Repartin e Psikiatrisë në Gjakovë.

Rastin e ka denoncuar në Polici bashkëshortja e pacientit.

Për ngjarjen ka folur edhe shefi i departamentit të Psikiatrisë, Zef Komoni, i cili sot për çështjen ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë.

Ai tha për Gazetën Sinjali se gruaja e pacientit nuk e ka denoncuar atë, por Repartin e Psikiatrisë, derisa tregoi edhe versionin e tij të ngjarjes.

“Pacienti në fjalë është shtruar më 12 nëntor në Repartin e Psikiatrisë deri më datën 15 nëntor ka qenë në gjendje stabile, më 15 nëntor në vizitën e mëngjesit e kemi vërejtur që i është përkeqësuar gjendja”, ka thënë Komoni për Gazetën Sinjali.

“E kemi ftuar internistin i ka koordinuar terapitë, më 17 nëntor ju ka përkeqësuar gjendja më tepër, kur unë s’kam qenë në punë si shef i departamentit të Psikiatrisë – mjekja në gatishmëri e ka vizituar dhe i ka kërkuar ekipet mjekësore nga Reparti i Internos ai i Kardiologjisë dhe Emergjenca”, sqaroi tutje ai.

“Emergjenca e ka marrë pacientin dhe e ka transferuar në repartin ku ka qenë e nevojshme për tu trajtuar”.

“Për trajtimin e tij në Repartin e Psikiatrisë ekziston komplet dokumentacioni çka ju koordinuar terapia, që është kërkuar konsulta nga mjekët e lëmive tjera – për të gjitha këto kam dhënë deklaratë tek hetuesit e policisë – sot”, ka zbuluar Komoni për Gazetën Sinjali.

Për çështjen ende nuk ka folur Policia e Gjakovës, pavarësisht se është pyetur nga Gazeta Sinjali.

Ndërsa rasti me urdhër të Prokurorit është iniciuar si “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Kush është Zef Komoni?

Ai ishte zgjedhur anëtar i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës, pavarësisht se ka qenë i dënuar për korrupsion në vitin 2012.

Komoni kishte punuar si kryeinspektor në Inspektoratin Shëndetësor, dhe në vitin 2012 ishte dënuar me një vit e tetë muaj burgim për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai akuzohej se sa ishte përgjegjës për inspektimin, nëse klinikat private shëndetësore po respektonin ligjet dhe rregullore e Ministrisë së Shëndetësisë, shqiptoi dhe kërcënoi disa klinika private se do të shqiptonte dënime të majme, me arsyetimin se gjoja ata nuk kishin respektuar rregulloren.

Klinikat mund të evitonin këto dënime vetëm në rast se do të paguanin Komonin për “heshtjen” e tij në ministri, shkruante Gazeta Sinjali.

Madje, Komoni ngarkohej se kishte marrë 2 mijë e 500 euro mito nga një klinikë private shëndetësore, në mënyrë që e njëjta ta evitonte një gjobë prej 12 mijë eurosh.

Por, kjo nuk kishte mjaftuar me kaq. Komoni më pas e kishte telefonuar prapë pronarin e asaj klinike, nga i cili kishte kërkuar 2 mijë e 500 euro të tjera, duke e kërcënuar se do t’i shqiptonte një gjobë të madhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo, plani i tij i shkoi huq, pasi që pronari i cili pranoi të takohej me Komonin për t’ia dorëzuar paratë, e kishte njoftuar Policinë për këtë takim, të cilët e arrestuan Komonin për mit-marrje.

Me rastin e arrestimit, Komoni ishte arsyetuar se këto para po i merr pronarit të klinikës për t’ia plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e një ordinance të re, që i dëmtuari po planifikonte ta bënte së shpejti.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...