Live

Ali Ahmeti i reagon Kurtit: Gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut është zyrtare dhe do ta mbrojmë

08:43 / 19 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Deklarata e kryeministrit Kurti lidhur me çështjen e gjuhës shqipe ka nxitur reagime te politikanët shqiptarë në Maqedoni të Veriut.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka reaguar duke thënë se “gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare dhe do ta mbrojnë me tërë qenien”.

Ai tha se gjuha shqipe nuk preket, është e larë me gjak dhe është e arritur me shumë mund, duke bërë thirrje që politikanëve e përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë t’u dërgohet ligji për gjuhën.

“Gjuha shqipe nuk preket, është e larë me gjak, është e arritur me shumë mund dhe ftoj të gjithë që tua dërgojnë ligjin për gjuhën deputetëve, ministrave, kryetarëve të komunave, kryetarëve të partive në Kosovë sepse ata janë dezinformuar nga vasalët shqiptarë në qeverinë pa legjitimitet etnik. Populli është në këmbë, populli është në front, populli është në ballë të rezistencës dhe mbrojtjes së barazisë por edhe të ardhmes europiane, sepse kjo tashmë nuk është çështje partish ose pushteti, por bëhet fjalë për lëvizje gjithëkombëtare në mbrojtje të identitetit dhe dinjitetit kombëtar”, ka shkuar Ahmeti.

Gjatë ditës për këtë çështje reagoi edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se iu rikthye ndjesia e keqe që kishte, në periudhën e diferencimeve politike të pasviteve 1981 që siç thotë, kryefjala e lajmeve niste me, nacionalizmin, shovenizmin, iredentizmin, separatizmin shqiptar.

Sela tha se, dje gjuha shqipe u godit shqip dhe uroi që, kjo të jetë një lajthitje momenti.

“Më ka ngel thellë në kujtesë periudha e diferencimeve politike të pasviteve 1981. Është gati e pashlyeshme në mbamendjen time prej femije të askohe-kryefjala e lajmeve që niste me, nacionalizmin, shovenizmin, iredentizmin, separatizmin shqiptar! Shumë shëmtuar dukej kur thuhej shqip dhe për shqiptarët nga elita politike komuniste shqiptare. Është më se e qartë se ky zhargon politik kontrollohej nga një qendër që per qëllim kishte satanizimin e viktimës, fillimisht spastrimin institucional të shqiptarëve e me pas edhe etnik të tyre.

Sot mu rikthye kjo ndjesi e keqe e shumë viteve më parë pa asnjë ndryshim në formë dhe paraqitje”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...