Live

Përfundon seanca e sotme në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

13:23 / 19 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Ndonëse ishte planifikuar që të dëgjohet dëshmitari i 105-të, kjo gjë nuk ndodhi, e madje seanca e sotme u ndërpre në gjysmë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas disa pushimeve të njëpasnjëshme dhe kalimit në sesione private, trupi gjykues i kyesuar nga gjykatësi Charles Smith III, në fund u tha palëve “shihemi nesër në ora 09:00”.

Gjatë kësaj kohe të seancës private, nuk u dha ndonjë përmbledhje se çfarë ndodhi aty ose pse nuk dëshmoi dëshmitari që ishte planifikuar të dëshmonte sot.

Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka ndonjë njoftim as nga ana e DhSK-së

Avokati Arianit Koci shihet sot në sallën e gjyqit në rastin Thaçi dhe të tjerët
(Përditësuar, ora 13:00)- Avokati Arianit Koci është parë në sallën e gjyqit në seancën e së martës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pas pushimit që u bë gjatë kësaj seance.

Ndonëse në pozitën e avokatit kujdestar, me të nuk u pa i pranishëm ndonjë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sapo e falënderoi trupi gjykues për prezencën, seanca kaloi në private duke mos u dhënë arsye konkrete.

Ndryshe, Koci kishte thënë për “Betimi për Drejtësi” se ai është avokat kujdestar për Sokol Dobrunën dhe Halil Çadrakun të cilët tashmë ndodhën në Hagë.

Kujtojmë se gjatë seancës së djeshme, u njoftua se Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një parashtrimi kishte kërkuar nga trupi gjykues që të vendos garanci sa u takon qasjeve që duhet të kenë avokatët kujdestarë sa u takon disa materialeve që janë në lista të materialeve.

Sipas ZPS-së, avokati kujdestar duhet të shohë vetëm deklaratat e mëparshme të dëshmitarit dhe të mos shqyrtojë asnjë nga dokumentet e mëtutjeshme që gjenden në listën e pjesëmarrësve.

“Edhe palët edhe pjesëmarrësit duhet të njoftohen paraprakisht në kohë që të bëjnë parashtrime sa u takon kërkesave që mund të kenë avokatët kujdestarë lidhur me këto garanci”, tha gjykatësi Charles Smith teksa citoi parashtrimin e ZPS-së.

Sipas tij, mbrojtja ka kundërshtuar kërkesën duke thënë se avokatët kujdestarë duhet të njihen me të gjitha materialet.

‘Trupi gjykues dëgjoi të gjitha parashtrimet e palëve që janë pasqyruar edhe në transkript. Mbrojtja e kundërshtoi kërkesën dhe vlerësoi se është e rëndësishme që edhe avokatët kujdestarë të njihen me materialet që janë në listën e materialeve përpara se të japë dëshmi dëshmitari në mënyrë që avokati kujdestar të jetë në gjendje t’i japë këshillat e duhura klientit të vet”, tha Smith.

Sipas tij, ZPS-ja është kundërpërgjigjur se dhënia e materialeve avokatit kujdestar nuk i ndihmon procesit gjyqësor.

Ndërsa sa i takon arsyes që jep ZPS-ja sa i takon ndjeshmërisë së këtyre materialeve dhe rëndësinë që kanë këto materiale, mbrojtja thotë që avokati kujdestar sigurisht që respekton kodin e etikës së një avokati dhe respekton të gjitha masat e përcaktuara me të.

ZPS-ja u përgjigj se duke i dhënë materialet avokatit kudjestar, nuk ndihmon fare në efikasitetin e procesit gjyqësor sepse çështjet e vet-inkriminimit nuk burojnë në materialet që gjenden në listën e materialeve për burojnë nga pyetjet që i bëjnë palët.

Ndërsa, trupi gjykues vlerësoi se avokati kujdestar duhet të ketë qasje në të gjitha materialet që janë të përfshirë në listën e Prokurorisë 24 orë përpara se klienti i tij të ofrojë dëshmi.

“Trupi gjykues vlerëson që parimisht një avokat kujdestar duhet të ketë qasje në të gjitha materialet që gjenden në listën e materialeve të Prokurorisë më së paku 24 orë përpara fillimit të dëshmisë së klientit të tyre. Trupi gjykues vlerëson që kjo i jep mundësi avokatit kujdestar që të shqyrtojë materialet dhe kështu mund të jep këshilla efikase klientit të vet sa i takon aspekteve që lidhen me vetë-inkriminimin. Kjo na ndihmon edhe ne që të mos kemi vonesa të panevojshme gjatë procesit gjyqësor. Trupi gjykues thekson se avokati kujdestar nuk duhet të diskutojë me askënd për përmbajtjen e materialeve që ka marrë për hir të përfaqësimit të klientit të tyre me asnjë palë të tretë dhe as me publikun”, tha gjykatësi Smith.

Ai tha se avokati kujdestar nuk duhet të japë asnjë këshillë klientit të vet sa i takon dëshmisë dhe që ndërlidhet me materialet.

“Avokati kujdestar nuk duhet t’i japë asnjë këshillë klientit të vet sa i takon dëshmisë lidhur me materialet që i kanë shqyrtuar paraprakisht. Avokati kujdestar ka një kuadër të kufizuar dhe këshillat i jep vetëm me atë aspekt që lidhen me vetë-inkriminimin dhe ato që mund të dalin gjatë dëshmisë”, tha ai.

Si rrjedhojë, trupi gjykues udhëzoi Zyrën Administrative që të informojë avokatët kujdestarë lidhur me këtë.

Ai gjithashtu ka thënë se në rast që ZPS-ja vlerëson se ndonjë material nuk duhet të shqyrtohet nga avokati kujdestar, atëherë ajo duhet ta njoftojë trupin gjykues dhe të japë arsyetimin përkatës.

“Gjasat janë të vogla të mbahet seancë sot”- U planifikua të dëshmonte dëshmitari i 105-të, s’dihet se çfarë ndodhi në rastin Thaçi dhe të tjerët
Seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk dihet nëse do të mbahet sot, pasi një gjë të tillë e tha edhe mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts.

“Nuk e di në qoftë se do të bëhet ndonjë seancë sot apo jo. Gjasat janë të shumë të vogla në qoftë se nuk ekzistojnë fare”, tha ai.

Përpara kësaj, kur u hap seanca, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi seancë private për mbrojtjen e dëshmitarit, i cili ende nuk kishte arritur në sallën e gjyqit, por që të hënën ishte njoftuar se do të ketë dëshmitarë të ri pas përfundimit të dëshmisë së Nezir Çoçajt, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas disa minutash, seanca u hap duke u njoftuar që do të shkojnë në pushim për 15 minuta dhe nuk u bë e ditur se çfarë ndodhi në seancë private.

Me t’u kthyer nga pushimi, gjykatësi Smith pa pjesën tjetër të trupit gjykues, njoftoi se i duhen edhe rreth një orë pushim, me arsyetimin se i duhet informacion i nevojshëm për t’iu përgjigjur çështjeve të cilat janë ngritur gjatë seancës private.

“Do të na duhet rreth një orë në mënyrë të tillë që mund të marrim informacionin e nevojshëm për t’i dhënë përgjigje çështjeve të cilat i ngritët ju. Kështu që do të takohemi sërish në orën 10:30 dhe shpresoj që deri atëherë të kemi disa përgjigje për ju”, tha Smith.

Si rrjedhojë, avokati Roberts tha se ka gjasa të vogla që seanca të mbahet sot, mirëpo kërkoi që klienti i tij të kthehet në njësinë e paraburgimit e në rast që seanca mbahet, atëherë të jetë prezent përmes video-lidhjes.

“Në qoftëse më lejoni, a është e mundur që zoti Zelimi mbase të kthehet në njësinë e paraburgimit dhe të ndjekë përmes video-lidhjes. Nuk e di në qoftë se do të bëhet ndonjë seancë sot apo jo. Gjasat janë të shumë të vogla në qoftë se nuk ekzistojnë fare, por thjesht do ju kërkoja leje nëse mundemi që zoti Selimi të dërgohet në qendrën e paraburgimit”, tha Roberts.

Por, gjykatësi e refuzoi tani për tani këtë kërkesë, duke i thënë që ajo do të merret parasysh pas pushimit.

“Do të ishte mirë që të qëndrojë për këtë orë. Domethënë ne do të takohemi për një orë, por ne do të marrim parasysh edhe kërkesën tuaj, por do të shihemi përsëri në orën 10:30”, tha ai.

Ndryshe, në fillim të seancës, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit përveç Hashim Thaçit, i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...